Vela: Vuçiq po pretendon rrejshëm se ka një realitet të ri në veri
Pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës, ka reaguar Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani.
Ai përmes një postimi në Twitter tha se edhe pse barrikadat në Kosovë të ngritura nga “strukturat ilegale të Serbisë” po hiqen, ajo që mbetet e papranueshme është “përpjekja e regjimit [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiq për të ‘normalizuar’ veprimet e fshehta, dhunën dhe kërcënimin e si normë udhëzuese për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Ai tha se marrëdhëniet Kosovë-Serbi mund të bazohen vetëm në njohjen reciproke, barazinë dhe reciprocitetin.
“Regjimi i Vuçiqit po pretendon rrejshëm se ka një ‘realitet të ri politik dhe juridik në veri të Kosovës’. Policia dhe institucionet tona po kryejnë detyrat e tyre në të gjithë territorin, përfshirë edhe veriun”, tha ai.
Pasditen e 29 dhjetorit nisi heqja e barrikadave të ngritura në veri të Kosovës. Për gati tri javë, grupe serbësh mbajtën të bllokuara disa rrugë që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Largimi i bllokadave nisi pas një takimi që mbajti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me disa përfaqësues të serbëve të Kosovës.
Hiqen barrikadat në katër komunat në veri të Kosovës
Hiqet barrikada në Mitrovicën e Veriut
Është hequr barrikada në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve më Mitrovicën e Veriut. Në këtë rrugë ka mbetur vetëm edhe një kamion.
Gazetarët e REL-it nga terreni raportojnë se kjo rrugë është tashmë e kalueshme.