Pak persona shihen afër barrikadës në Rudarë
Numri i qytetarëve që po qëndrojnë në barrikadën e vendosur në Rudarë të Zveçanit është më i vogël sesa ditëve tjera.
Këto fotografi i sjell ekipi i Radios Evropa e Lirë që po qëndron në vendngjarje.
Policia njofton se është hapur pika kufitare në Merdare
Largimin e barrikadës në Merdare e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Në një komunikatë për media policia tha se “rruga e cila ishte bllokuar më 27 dhjetor në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim”.
Policia njoftoi “qytetarët dhe bashkatdhetarët se tani pikëkalimi kufitar Merdare, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”.
Largohet barrikada në anën serbe në Merdare
Barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e së enjtes, sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë që ndodhet në vendin e ngjarjes.
Personat që ishin të pranishëm në këtë vend ku ishte bllokuar rruga, thanë se ishin pjesërisht të kënaqur me marrëveshjen e arritur mbrëmjen e së mërkurës.
Ata theksuan se po veprojnë në koordinim me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova.
Më 27 dhjetor, pika kufitare në Merdare u mbyll nga Policia e Kosovës pasi një grup serbësh në Serbi kanë bllokuar rrugën për në kufi.
Për të enjten është paralajmëruar edhe largimi i barrikadave nga rrugët e pjesës veriore të Kosovës.
Barrikadat në veri janë vendosur me 10 dhjetor si kundërshtim ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror në Mitrovicë të Veriut si dhe Zubin Potok.
Në Rudarë nuk shihet ndonjë lëvizje për largimin e barrikadave
Rrugët që çojnë në pikat kufitare Kosovë- Serbi në komunat veriore, vazhdojnë të jenë të mbyllura. Ndonëse është paralajmëruar se duke filluar nga mëngjesi i së enjtes do të fillojë heqja e barrikadave, ende nuk ka ndonjë lëvizje për heqjen e tyre në këto rrugë.
Dy kamionë të vendosur në vendin e njohur si “Shkëmbi i Dudës” janë djegur. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës bëri të ditur se përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa tha se rasti është duke u hetuar.