Ambasadori amerikan në Beograd: Koha për t’i hequr barrikadat
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha më 28 dhjetor se "e kupton zhgënjimin e serbëve", por tha se tani është koha për t’i hequr barrikadat.
“Më pyetët se çfarë mendoj për barrikadat, unë thashë se e kuptoj pse janë aty, por mendoj se tani është momenti që ata që i kanë vendosur duhet t’i heqin ato”, tha Hill për portalin Nova.rs.
Hill tha se një zgjidhje politike mund të gjendet përmes procesit të dialogut dhe se ky është fokusi i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë.
"Duhet të arrijmë në pikën ku do të qetësojmë situatën dhe të merremi me çështjet politike që duhet të zgjidhen. Kjo është diçka që të gjithë po përpiqen ta bëjnë dhe shpresoj se do të kemi sukses", tha ai.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Hill tha se bëhet fjalë për një obligim të Prishtinës, dhe se nuk është çështje se a të formohet apo jo, por si do të funksionojë dhe në çfarë mënyre do të zbatohet.
MPJD: Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë për ndihmë nga bashkatdhetarët
Pas mbylljes së pikës tjetër kufitare të Merdares, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për ndihmë qytetarët e Kosovës që janë në lëvizje.
“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përfshirë edhe misionin tonë në Beograd, nuk ka pranuar asnjë kërkesë për ndihmë nga bashkatdhetarët, pas bllokimit të kufirit në Merdare nga grupet kriminale serbe”, tha Qëndresa Fazliu, zyrtare e lartë për komunikim.
Fazliu tha se MPJD fton të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje, që të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim.
Përveç Merdares, të mbyllura janë edhe pikat kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakut.
Ndërsa të hapura janë pikat kufitare në Dheun e Bardhë, Mutivodë dhe Muçibabë.
Kosova dhe Serbia kanë një linjë kufitare 381 kilometra të gjatë.
Barrikada në Serbi mban mbyllur Merdaren
Pika e kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Merdare vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim si pasojë e vendosjes së barrikadës në rrugë, rreth dy kilometra brenda territorit të Serbisë. Radio Evropa e Lirë ju sjell pamje nga të dy anët e pikës kufitare të Merdares.
Petkoviq: Vuçiq u kërkoi serbëve që të tërhiqen nga barrikadat
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tregoi se presidenti i Serbisë, u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.
Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.
"Pas këtyre deklaratave zyrtar [të komunitetit ndërkombëtar], presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut, dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërko që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat", tha Petkoviq gjatë një konference për media më 28 dhjetor.
Ai tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.