Tri pika kufitare me Serbinë, të bllokuara
Për shkak të barrikadave, tri pika kufitare që e lidhin Kosovën me Serbinë, aktualisht janë të bllokuara.
Kufizohet tutje liria e lëvizjes mes Kosovës e Serbisë
Gati tri javë pasi grupe serbësh nisën bllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, barrikada u ngritën edhe në anën serbe të kufirit në Merdare - pjesa verilindore e Kosovës. Ky vendkalim kufitar përdoret në masë të madhe nga diaspora e Kosovës.
Rritet fluksi i makinave në Dheun e Bardhë
Pas mbylljes së pikës kufitare në Merdare, është rritur fluksi i makinave në Dheun e Bardhë - pikën tjetër kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.
Përveç automjeteve me udhëtarë, këtë pikë kufitare po e shfrytëzojnë edhe mjetet e rënda të transportit.
Disa qytetarë i thanë Radios Evropa e Lirë se po përdorin këtë pikë kufitare, pas mbylljes së Merdares.
Në mesin e personave që po e kalojnë kufrin Kosovë-Serbi ka edhe pjesëtarë të diasporës, që janë nisur drejt Kosovës për festat e fundvitit.
Kurti: Barrikadat në veri nuk janë barrikada civile
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se prapa barrikadave të ngritura në veri të vendit, po qëndrojnë “njerëz të uniformuar dhe të armatosur”.
Gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Qeverisë Kosovës, Kurti tha se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar më shumë kohë nga autoritetet për heqjen e barrikadave. Por, shefi i ekzekutivit kosovar shtoi se është optimist në angazhimin e KFOR-it.
“Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme kanë kapacitete për t’i hequr barrikadat, të cilat nuk janë barrikada civile dhe prapa të cilave qëndrojnë njerëz të uniformuar dhe të armatosur, që janë problem më i madh se vetë barrikadat. Barrikadat janë vënë nga ata të cilët janë eksponentë të krimit të organizuar, dhe në të njëjtën kohë e kanë mbështetjen politike nga Beogradi, por edhe financimin prej andej”, tha Kurti.
Ndërkaq, gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti deklaroi se autoritetet nuk “bashkëpunojnë dhe bisedojnë me kriminelët” në veri, por do t’i “arrestojnë ata”.