Barrikadë në Mitrovicë të Veriut
Në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut është ngritur një barrikadë më 27 dhjetor. Barrikada është vendosur në afërsi të Shkollës Teknike.
Lagjja e Boshnjakëve është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Po ashtu, ka informacione që është ngritur edhe një barrikadë tjetër në vendin e njohur si Shkëmbi i Dudës (Dudin Krsh) në Zveçan, që pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.
Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor. Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Vuçiq urdhëron rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe policisë serbe
Presidenti serb, i cili është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar që ushtria dhe të gjitha njësitë ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.
Për më shumë lajmin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.
Hovenier: Mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënime
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar sulmin ndaj gazetarëve në veri.
"Mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënime të dhunës dhe frikësime. Një shyp i lirë, i pavarur është themel i demokracisë", tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në Twitter.
Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar më 26 dhjetor për situatën e krijuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
Mbledhja u thirr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe në të u diskutua për “incidentet e fundit të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë”, që sipas Qeverisë së Kosovës, po veprojnë kundër rendit kushtetues.
“Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, u tha në njoftim.
Qeveria tha se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it”, u tha në njoftim.
Për 17 ditë me radhë, rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën me Serbinë – janë të bllokuara nga barrikadat e ngritur nga disa serbë lokalë.
Serbët ngritën barrikadat pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.