Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
16:17 26.12.2022

Policia konfirmon sulmin ndaj gazetarëve në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar se të hënën është sulmuar një ekip i gazetarëve të televizionit Klan Kosova në fshatin Zupç të Zubin Potokut, duke lënduar dy nga pjesëtarët e ekipit dhe duke shkaktuar dëme material.

“Sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta [gurë] kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia tha se ka nisur hetimin për këtë rast.

15:52 26.12.2022

BE dënon sulmin ndaj ekipit të gazetarëve

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar sulmin ndaj një ekipi gazetarësh në Zubin Potok dhe u ka uruar atyre “shërim të shpejtë”.

“Ky dhe incidentet e mëparshme që e ndikojnë punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”, tha BE-ja.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se ekipi i Klan Kosovës u sulmua me gurë gjatë raportimit nga fshati Zupç i Zubin Potokut.

15:07 26.12.2022

AGK: Një ekip gazetarësh është sulmuar në veri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se është njoftuar se më 26 dhjetor ka ndodhur “një tjetër sulm i rëndë” ndaj gazetarëve që po raportojnë nga veri i Kosovës.

Sipas AGK-së, ekipi i Klan Kosovës është sulmuar me gurë në fshatin Zupç të Zubin Potok nga “persona të maskuar”.

“Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç. Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime”, thuhet në njoftim.

AGK-ja tha se për sulmin është njoftuar edhe Policia e Kosovës. Megjithatë, nga Policia e Kosovës nuk i janë përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë për ta konfirmuar rastin dhe për të marrë detaje të tjera.

“Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri”, tha AKG-ja.

Disa nga gazetarët që po raportojnë nga veriu i Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, kanë thënë më herët për REL-in se nuk kanë mbrojtje të duhur gjatë raportimit.

14:26 26.12.2022

MPJD i vendos kushte Porfirijes për vizitën në Kosovë

Kreut të Kishës Ortodokse serbe, patriarkut Porfirije i është kërkuar që të dënojë apo distancohet nga “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës” të cilët janë “përgjegjës për barrikadat” e ngritura në atë pjesë.

Kështu thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, që treguan se Porfirije ka bërë kërkesë më 23 dhjetor që të qëndrojë në Kosovë për tri ditë (26-28 dhjetor).

“Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe [KOS] dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me deklaratën paraprake të distancimit nga veprimet dhe aktet e lartpërmendura”, thuhet në njoftim.

Lajmi i plotë:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG