Policia mohon se ka penguar serbët të marrin pjesë në protestë
Policia e Kosovës ka thënë se nuk qëndrojnë informacionet e disa mediumeve se autoritetet kanë ndaluar autobusë me protestues që ishin nisur drejt protestës që u mbajt në Rudarë të Zveçanit.
“Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare [me vetë dëshirë] nuk kanë vazhduar tutje”, u tha në njoftimin e Policisë.
Sipas autoriteteve të rendit, protesta ka përfunduar pa ndonjë incident dhe në të “kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës”.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, gjatë protestës paraqiti disa kërkesa për largimin e barrikadave që disa serbë lokalë kanë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori.
Ai tha se lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës janë kërkesat e protestuesve.
Autoritetet në Kosovë më herët kanë demantuar pretendimet e Listës Serbe se ka lista për arrestim të serbëve dhe po ashtu kanë thënë se në veri janë dërguar policë të rendit, e jo njësitë speciale.
Barrikadat në veri u ngritën pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë dyshojnë se Pantiq ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Një rikujtim se pse u mbajt protesta në veri
Që nga 10 dhjetori rrugët kryesore në veri të Kosovës janë të bllokuara nga barrikadat. Grupe të serbëve lokalë kanë bllokuar me mjete të rënda dy rrugët kryesore që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Përmes këtij veprimi ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Protesta u zhvillua në Rudarë, komuna e Zveçanit, kundër siç u tha, “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë për The Guardian tha se barrikadat nuk mund të largohen pa pasoja.
Këto janë kushtet e serbëve për largim të barrikadave
Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës, janë kushte për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një protestë të mbajtur të enjten në Rudarë, në veri të Kosovës.
Protesta u mbajt në vendin ku ndodhet një nga nëntë barrikadat e ngritura nga popullata vendase serbe pas arrestimit të ish-policit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
“Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim vetëm pse jemi serbë”, tha Rakiq para turmës.
Ai tha se zgjidhja e kësaj krize është “ekskluzivisht në Prishtinë”.
Lexoni këtu lajmin e plotë për protestën e sotme:
Ka përfunduar protesta e qytetarëve serbë në veri
Qytetarët serbë që protestuan në fshatin Rudarë të Zveçanit e shpallën të përfunduar protestën. Ata i vendosën disa kushte për institucionet e Kosovës në këmbim të largimit të barrikadave. Protesta ishte e qetë dhe nuk u raportua ndonjë incident.
Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, u organizua pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.