Lajçak: Pata diskutim të hapur dhe të sinqertë me Vuçiqin
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë të sinqertë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, "për të gjetur zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e barrikadave në veri të Kosovës".
“Ai e kupton seriozitetin e situatës”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Pjesë e takimit ka qenë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Si Lajçak, ashtu edhe Escobar, janë takuar ditëve të fundit edhe me liderë të Kosovës në Prishtinë, për të diskutuar situatën në veri.
Ekipet e Radios Evropa e Lirë kanë qëndruar të mërkurën në Rudarë të Zveçanit dhe barrikadat kanë qenë ende aty.
Barrikadat në Rudarë
Ekipet e Radios Evropa e Lirë kanë qëndruar të mërkurën në Rudarë dhe barrikadat duken si në fotografi.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, kamionë e autobusë po shfrytëzohen për të krijuar bllokadë.
Policia hedh poshtë pretendimet se Pantiqit nuk i janë ofruar barnat e nevojshme
Policia e Kosovës tha se janë "të pavërteta" spekulimet e personave të caktuar dhe të disa mediave kryesisht serbe se ish-policit serb të arrestuar, Dejan Pantiq, "autoritetet nuk i kanë ofruar barna mjekësore".
Në një njoftim për media thuhet se ai "është trajtuar mjaft mirë, konform rrethanave të krijuara", i "është ofruar avokati mbrojtës" si dhe i "është lejuar përdorimi i barnave mjekësore".
Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.
Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe atyre policorë në veri.
Kujtojmë se arrestimi i tij bëri që disa serbë lokalë në veri të Kosovës të ngrenë barrikada.
Pamje nga fshati Rudarë
Në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit vazhdoi edhe të mërkurën bllokimi i rrugëve.
Korrespondentët e REL-it në terren raportojnë se në mesin e të pranishmëve pranë barrikadave janë edhe të punësuar në institucionet publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë. Ata thuhet se qëndrojnë në grupe nga pesë orë.