Pamje nga fshati Rudarë
Korrespondentët e REL-it në terren sjellin disa fotografi nga fshati Rudarë, Komuna e Zveçanit, ku disa qytetarë duken duke qëndruar në rrugë pranë barrikadave.
Escobar takon përfaqësuesit e opozitës në Kosovë
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takon sot në Prishtinë përfaqësues të partive opozitare.
Një ditë më herët, ai u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.
Escobar nuk foli për media pas këtyre takimeve, por në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit u tha se ata kanë diskutuar "për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës".
"U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë", u tha në njoftimin e Kryeministrisë.
Disa serbë lokalë, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë.
Kjo, pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
SHBA-ja ka kërkuar largimin e barrikadave dhe shtensionimin e situatës.
Çfarë thonë disa serbë të anketuar për barrikadat në veri?
Barrikadat mbeten në vendet e njëjta
Situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë sikurse edhe në ditët e kaluara, thanë të martën nga Policia e Kosovës.
Ata konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se "barrikadat mbeten në vendet e njëjta", por nuk dhanë më shumë detaje.
Disa serbë lokalë, që nga 10 dhjetori, kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat janë ngritur pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.