Mirëmëngjesi të nderuar lexues,
I rikthehemi mbulimit direkt të situatës në veri të Kosovës, ku nga data 10 dhjetor disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Na ndiqni për të qenë të informuar në kohë reale me të rejat e fundit.
Të nderuar lexues, këtu po e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet në veri të Kosovës.
Rikthehemi sërish në mëngjesin e 13 dhjetorit.
Faleminderit që ishit me ne!
Beograd: Protestë në mbështetje të serbëve të Kosovës
Qindra njerëz janë mbledhur të hënën në Beograd, për të protestuar “si shenjë mbështetjeje për serbët” në Kosovë.
Protesta është zhvilluar përpara Kishës Shën Sava.
Thirrja për protestë është bërë e ditur në rrjetin social Telegram, te kanalet e disa organizatave të krahut të djathtë në Serbi.
Një prej organizatorëve - me maskë në fytyrë - i ka thënë audiencës se nuk dëshiron të bëjë të ditur identitetin, por është nga Kosova.
Ai i ka thënë turmës se nuk dëshiron “Asociacion të komunave me shumicë serbe” dhe që Kosova është pjesë e Serbisë.
Protestuesit kanë kënduar këngë për Kosovën dhe këngë nënçmuese për shqiptarët në Kosovë.
Ata kanë bërtitur “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë” si dhe “jo ndasive, Kosova është pjesë e Serbisë”.
Ata kanë bartur flamuj të Serbisë dhe Rusisë, si dhe mbishkrimet “Kosova nuk dorëzohet”.
Protestuesit kanë lëvizur edhe te rrugët e qendrës së qytetit, të cilat janë mbyllur për trafikun.
Ata e kanë djegur flamurin e Kosovës përpara Presidencës së Serbisë.
Protestuesit më pas kanë thënë se janë në pritje “të përgjigjes së shtetit”.
Përfaqësuesit e Listës Serbe takojnë Escobarin
Përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - kanë takuar të hënën të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
Sipas Listës Serbe, palët kanë biseduar për situatën politike dhe atë të sigurisë.