Çfarë thuhet në Rezolutën 1244, në bazë të së cilës Serbia paralajmëron kërkesën për dërgimin e trupave në Kosovë?
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Vuçiq: Serbia më 15 dhjetor dërgon kërkesën për vendosjen e trupave në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se pas seancës së 15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.
Beogradi zyrtar qysh më 8 dhjetor paralajmëroi shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Me këtë paralajmërim, ai iu përgjigj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.
Deri te kjo situatë erdhi një muaj pasi serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës.
REL iu drejtua KFOR-it për koment, por nuk mori ende përgjigje.
Chollet anulon vizitën në Kosovë
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, anuloi vizitën në Kosovë, për “arsye familjare”, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Ka qenë e paraparë që Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të takojnë pasditen e sotme udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa mëngjesin e së martës përfaqësues të partive politike.
Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës u bë e ditur se kryeministri Albin Kurti do të presë pasdite në takim vetëm Escobarin.
Vizita vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është e tensionuar.
Për më shumë, lexoni këtu.
Policia e Kosovës duke patrulluar në Mitrovicë të Veriut
Një fotograf i agjencisë Reuters sjell fotografi të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës duke patrulluar në Mitrovicën e Veriut.