Borrell bën thirrje për shtensionimin e situatës
Kosova dhe Serbia duhet të shtensionojnë situatën, tha të hënën shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Ato duhet t’i kthehen dialogut, duhet ta kapërcejnë këtë tendencë për të luftuar në rrugë”, tha ai para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Kujtojmë se në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - disa grupe serbësh vazhdojnë bllokimin e rrugëve për të tretën ditë me radhë.
Protestën e nxiti arrestimi i një ish-zyrtari serb të Policisë së Kosovës, të shtunën.
Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Ekipi i REL-it ndodhet aktualisht në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit, ku vazhdon bllokada e rrugëve nga disa serbë lokalë.
Qetë në veri, vazhdon bllokada
Kamionë të mëdhenj dhe autobusë vazhdojnë t'i bllokojnë rrugët në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit, përkatësisht në rrugën që çon drejt pikës kufitare me Serbinë - Jarinjë.
Në hyrje të barrikadës është vendosur edhe një shirit me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, për të bllokuar kalimin në anën tjetër të barrikadës.
Mëngjesin e së hënës, në këtë zonë ishte qetë.
Mbyllen shkollat “deri në njoftimin e radhës”
Shkollat fillore dhe të mesme në komunat në veri të Kosovës nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës, për shkak të situatës aktuale të sigurisë, konfirmoi drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq, për Radion Evropa e Lirë.
Ai nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por vetëm tha se një vendim i tillë është marrë të dielën mbrëma.
“Me shumë gjasa” është marrë nga institucionet kompetente, tha ai.
Shkollat në mjediset serbe në veri të Kosovës funksionojnë nën sistemin e Serbisë.