Bildt: Duhet të ndërmerren hapa të vështirë
Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, tha se përpara se Kosova të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë disa marrëveshje që duhen respektuar dhe "duhet të ndërmerren hapa të vështirë".
Bildt, i cili ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së në ish-Jugosllavi në vitet 1990, nuk specifikoi se për cilat marrëveshje apo hapa e ka fjalën.
"Kriza po shpërthen sërish në veri të Kosovës. Gjërat do të nxehen derisa Kosova synon të dorëzojë aplikimin për në BE në ditët në vijm. Por, përpara se të lëvizet përpara me këtë aplikim, ka marrëveshje që duhen respektuar dhe duhet të ndërmerren hapa të vështirë", shkroi Bildt në Twitter.
Zyrtarë të Kosovës kanë paralajmëruar se aplikimi për anëtarësimin e vendit në BE do të bëhet gjatë kësaj jave.
Kështu është dukur një nga rrugët e bllokuara në veri të Kosovës, mbrëmjen e 11 dhjetorit:
Mirëmëngjesi të nderuar lexues!
REL do të vazhdojë edhe sot mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Në këtë zonë, qysh më 10 dhjetor, disa grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, ashtu si edhe ata nga komuniteti ndërkombëtar kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave.
Na ndiqni për zhvillimet më të reja gjatë ditës së sotme.
Të nderuar lexues, këtu e ndërpresim mbulimin direkt të zhvillimeve në veri të Kosovës, për të vazhduar paraditen e së hënës.
Faleminderit që përcillni Radion Evropa e Lirë.