SHBA: Arrestimi po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve
Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura.
Nga e shtuna pasdite, disa serbë lokalë ngritën disa barrikada në komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në veri të Kosovës dhe bllokuan disa rrugë. Ata ndërmorën këtë veprim pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët për media, ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd thanë se “ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, si dhe për kërcënime dhe frikësime të autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët që të punojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për t’i zgjidhur çështjet përkatëse”, thuhet në deklaratën e lëshuar të dielën pasdite.
Aty, po ashtu, shprehet mbështetje për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe për misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Ministrja e Jashtme: Borrell duhet t'i dënojë edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashme, Donika Gërvalla, ka thënë se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, gjithashtu duhet t'i dënojë të shtënat ndaj Policisë së Kosovës, të cilët ishin “duke përmbushur detyrën e tyre dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nga sulmet e bandave kriminale”.
“Deklaratat që nuk dënojnë Vuçiqin për agresionin e tij të hapur inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejmë [të situatës]”, ka shkruar ajo në Twitter.
Zhvllimet kryesore deri tani:
Të nderuar lexues,
Nëse po na bashkoheni tani në mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në veri të Kosovës, ja çfarë ka ndodhur gjatë të dielës:
- Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një patrullë vëzhguese në Rudarë është sulmuar me shok-bombë mbrëmjen e së shtunës.
- Përfaqësues të SHBA-së, NATO-s, BE-së dhe të tjerë e kanë dënuar këtë veprim.
- Barrikadat e ngritura më 10 dhjetor kanë vazhduar edhe të dielën. Janë ngritur gjashtë barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për arsye sigurie.
- Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka kërkuar nga qytetarët në veri të lejohet lëvizja e KFOR-it dhe EULEX-it.
- Më 11 dhjetor u mblodh Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po pret që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, t’i largojë barrikadat nga veriu. Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bëri thirrje serbëve lokalë t’i largojnë barrikadat.
- Edhe Serbia ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të dielën në orën 19:00. Më herët gjatë ditës, Vuçiq tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”.
Vuçiq thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Sipas njoftimit për media, takimi i 11 dhjetorit pritet të nisë në orën 19:00.