Policia e Kosovës: Nuk kemi maltretuar asnjë person
Policia e Kosovës ka mohuar pretendimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, se është keqtrajtuar një qytetar serb afër digës së Ujmanit, duke thënë se zyrtarët policorë vetëm kanë “legjitimuar një person, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem”.
Petkoviq shkroi të dielën se kishte informuar të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se një punonjës serb ishte keqtrajtuar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
“Ia morën çelësat rojës, grisën flamujt. BE-ja duhet ta frenojë ngacmuesin dhe uzurpatorin Kurtin nga veprimet e tij të njëanshme dhe të armatosura me të cilat dëshiron të shkaktojë luftë!”, shkroi Petkoviq.
Mirëpo, Policia e Kosovës i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se zyrtarët policorë nuk kanë “maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm kanë legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem”.
Lexoni lajmin e plotë në këtë link.
Zëdhënësja e NATO-s dënon sulmin ndaj EULEX-it
Për sulmin me shok-bombë ndaj një patrulle të EULEX-it në Rudarë, ka reaguar edhe zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
Ajo ka thënë se NATO bashkohet me aleatët e saj dhe Bashkimin Evropian që dënojnë fuqishëm sulmin e mbrëmshëm.
“Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe kryesit duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Ajo ka thënë që Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të kryer mandatin që ka.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet dhe retorikën provokuese dhe të kontribuojnë për qetësinë dhe stabilitetin”, ka shkruar ajo në Twitter.
Kurti kërkon nga KFOR-i që të garantojë lirinë e lëvizjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga KFOR-i që të garantojë lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës.
“KFOR-i po kërkon pak kohë që ta kryejë këtë punë [heqjen e barrikadave] dhe ne po presim”, tha ai pas takimit me Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se nëse barrikadat nuk hiqen, atëherë do të merren veprimet e duhura, por pa dhënë detaje se për çfarë veprimesh bëhet fjalë.
Ai tha se janë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe se “shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën kur nuk do të ketë më barrikada në veri”.
Kurti u kërkon serbëve lokalë që të distancohen nga Vuçiqi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se serbët janë qytetarë të Kosovës dhe se ata duhet të distancohen nga grupet kriminale dhe "regjimi i [Aleksandar] Vuçiqit, i cili i financon dhe kërkon luftë”.
Ai akuzoi Serbinë se dëshiron të kërcënojë integritetin territorial të Kosovës dhe se dëshiron të destabilizojë gjithë rajonin e Ballkanit.
Kurti tha se të gjitha institucionet e Kosovës do të jenë vigjilente për të mundësuar vendosjen e paqes, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se mbrëmjen e 10 dhjetorit janë ngritur gjashtë barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Ai tha se pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për arsye sigurie.
Sipas tij, barrikadat janë vendosur pas arrestimit të ish-polici i PK-së, Dejan Pantiq, me arsye, siç tha ai, pengimin që Pantiq të dërgohej në jug, pas caktimit të masës së ndalimit prej 48-orësh.
Ai tha gjithashtu se mbrëmjen e 10 dhjetorit është shkëmbyer zjarr afër digës së Ujmanit.
“Në disa lokacione janë hedhur shok-bomba, ndërsa njësitet policore kanë shkëmbyer zjarr me disa grupe kriminale pas një sërë sulmesh të organizuara nga këto grupe, pranë digës së liqenit të Ujmanit. Pas shkëmbimit të zjarrit situata është vënë nën kontroll dhe është nën vëzhgim shtesë”.