Ambasada e Italisë: Sulmet ndaj PK-së dhe EULEX-it nuk kanë asnjë justifikim
Ambasada e Italisë në Kosovë e ka dënuar sulmin me shok-bombë ndaj një patrulle të EULEX-it në Rudarë, në veri të Kosovës.
“Sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare, si EULEX, nuk kanë asnjë justifikim. Ne i dënojmë këto veprime në mënyrën më të ashpër”, thuhet në reagimin e Ambasadës italiane.
Ambasadori gjerman: Dhuna kundër EULEX-it duhet të ndalet tani
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pasi një shok bombë u hodh mbrëmjen e 10 dhjetorit ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it në veri të Kosovës.
“EULEX-i kontribuon në ofrimin e sigurisë dhe sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani”, tha ai.
Fotogaleri: Veriu i Kosovës përmes fotografive
Bërnabiq bën thirrje për qetësi dhe durim
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, bëri thirrje për qetësi dhe durim.
"Të gjitha protestat duhet të jenë paqësore dhe demokratike. Ne duhet të mbrojmë gjënë e vetme më të rëndësishme për të gjithë: paqen", shkroi ajo në Twitter.
Bërnabiq tha se “atë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e percepton si kërcënim janë thirrjet tona të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet, dialog të hapur dhe të ndershëm, respektim dhe zbatim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani".