QUINT mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve në veri
Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri - Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - të banuara me shumicë serbe.
Presidentja e Kosovës ka bërë të ditur të shtunën për shtyrje të zgjedhjeve - që ishin planifikuar për 18 dhjetor - për në prill në vitit të ardhshëm.
“Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si e vetmja mënyrë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në njoftimin e QUINT-it.
Në QUINT bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.
Çitaku: Situata në veri nuk është diçka e re
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se situata e krijuar në komunat në veri të Kosovës “nuk është diçka e re”.
“Kemi pasur situata të tilla edhe më herët. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të koordinohen ngushtë me NATO-n dhe mos të lejojnë që veriu i vendit të merret peng nga bandat kriminale”, tha Çitaku.
Ajo i bëri këto deklarata pas vendimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shtyrje të zgjedhjeve - që ishin planifikuar për 18 dhjetor - për në prill në vitit të ardhshëm.
Ku janë bllokuar rrugët?
Në Rudarë të Zveçanit, serbët lokalë janë mbledhur në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.
Bllokada të rrugëve raportohet se ka edhe në Soqanicë të Leposaviqit dhe Zubin Potok - të dyja komuna me shumicë serbe.
Sirenat, ndërkaq, janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut.
Sveçla: Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës ka ndaluar të shtunën ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq në pikën kufitare në Jarinjë.
“I ndaluari, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës, ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit me ç'rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”, shkroi ai në Facebook.
Sveçla tha se Pantiq akuzohet për “kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”.
Ai tha se grupe ekstremiste, që kanë për qëllim parandalimin e vendosjes së drejtësisë, janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.