Ndërlidhjet

Rreth 65 mijë euro gjoba ndaj partive politike për shkelje gjatë fushatës


Pankartat e partive politike
Pankartat e partive politike

Disa nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, janë gjobitura nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të këtij institucioni.

Deri më tani, sipas tyre, gjobat e shqiptuara ndaj subjekteve politike kanë arritur në vlerën e rreth 65 mijë euro.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se ankesat për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore janë pranuar nga subjektet politike si dhe nga organizatat vendore që merren me vëzhgimin e fushatës zgjedhore.

Sipas Deskut, shkeljet e rregullave të fushatës zgjedhore, kanë të bëjnë me shkelje të kodit të mirësjelljes, kryesisht vendosja e materialeve zgjedhore në hapësira publike.

Para fillimit të fushatës dhe gjatë fushës të subjekteve politike, gjithsej kemi pranuar 116 ankesa bashkë me apele. Prej 116 ankesa, janë 18 apele të cilat kanë të bëjnë me fazën para fillimit të fushatës zgjedhore”.

Gjithsej i kemi 98 ankesa që janë parashtruara nga subjektet e ndryshme politike, që kryesisht ju referohen shkeljeve të kodit të mirësjelljes, të Ligjit të shërbimit civil, që ka të bëjnë më bërjen e fushatës zgjedhore të partive politike në këto ditë. Gjobat të shqiptuara ndaj subjekteve politike, gjithsej deri më tani janë 64,700 euro”, thekson Desku.

Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë Nisma, ka shtuar Desku, prin me numrin më të madh të shkeljeve, pasuar nga Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës.

Pankartat e subjekve politike të vendosura në Prishtinë
Pankartat e subjekve politike të vendosura në Prishtinë

Fushata e subjekteve politike, ngjashëm me proceset paraprake, po vëzhgohet edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, “Demokracia në Veprim”.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, që bën pjesë në këtë koalicion, i tha Radios Evropa e Lirë se në PZAP kanë dorëzuar rreth 50 ankesa.

Sipas tij, deri më tani në bazë të këtyre ankesave të dorëzuara janë marrë 24 vendime, derisa gjoba për këto vendime arrin në shumën e mbi 41 mijë euro, derisa, rreth 30 ankesa të tjera, shton Krasniqi, janë në trajtim e sipër nga PZAP.

Nga ajo që është identifikuar deri më tani në terren, e që cilësohen si shkelje e rregullave të fushatës zgjedhore, janë përdorimi i resurseve publike, kryesisht veturave zyrtare nga partitë politike apo kandidatëve të tyre, pastaj janë identifikuar vendosja e materialeve zgjedhore të fushatës, të pankartave të kandidatëve të partive politike në hapësira publike, në institucione kulturore, në shenja të komunikacioni, në shtylla elektrike e të tjera”, thekson Krasniqi.

Fushata e subjekteve politike në Kosovë ka filluar më datën 31 maj dhe do të mbyllet më 9 qershor. Më datën 10, është heshtje zgjedhore, kurse më 11 qershor, pritet që qytetarët e Kosovës, me të drejtë vote të votojnë.

Mbi 20 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe subjektet politike, pritet ta vëzhgojnë procesin zgjedhor të 11 qershorit në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG