Ndërlidhjet

Xhepat e "thellë" të partive politike për fushatë


Partitë politike në Kosovë dhe kandidatët që po garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, janë duke shpenzuar shuma të mëdha parash për fushatën zgjedhore.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se vetëm në katër ditët e para të fushatës, partitë politike kanë shpenzuar para të majme për spotet televizive, transmetime të drejtpërdrejta të tubimeve dhe reklama të ndryshme.

Por, këto shpenzime mbeten të pa evidentuara, për shkak të mungesës së transparencës nga partitë politike të cilat vazhdojnë të mbeten të mbyllura duke mos deklaruar saktë shpenzimet.

Isuf Zejna nga organizata Demokraci Plus, tha për Radion Evropa e Lirë, se partitë politike ngjashëm me të kaluarën edhe tani në prag të zgjedhjeve, nuk po tregohen transparente dhe nuk duan të flasin për të hyrat që kanë dhe shpenzimet për fushatë zgjedhore.

"E para është se donatorët nuk duan t'u zbulohet emri. Partitë politike nuk i deklarojnë të gjitha se pastaj bien në kundërshtim më limitet ligjore, kufizimet të cilat i vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në rastet e tjera, partitë politike nuk i kanë nën kontrollin e vet as kandidatet individual”.

“Pra, një kandidat për deputet nuk i jep llogari partisë politike se sa është duke shpenzuar. Disa nga ta janë edhe me të pasur ose kanë pozita të larta në Qeveri ose Kuvend dhe kanë lidhje me bizneset, kështu që shumë kompani janë të gatshme t'i mbështesin fuqishëm", tha Zenaj.

Partitë politike veçmas gjatë procesit të zgjedhjeve nuk janë gjendje të tregojnë burimet e financimit të fushatave të tyre zgjedhore, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Fushata e zgjedhjeve të 11 qershorit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Organizata Demokraci Plus dhe Çohu, në një konferencë për media thanë se dy koalicionet, përkatësisht ai i Partisë Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, si dhe koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa, janë shpenzuesit më të mëdhenj të parave gjatë kësaj fushate 4 ditore.

Në bazë të të dhënave nga një hulumtim 4 ditor, thuhet se vetëm për spote televizive, PDK, AAK dhe NISMA, si koalicion, ka shpenzuar 55 mijë euro.

Ndërsa LDK, AKR dhe Alternativa, si koalicion ka shpenzuar mbi 25 mijë euro.

Ndërkohë, për Lëvizjen Vetëvendosje u tha se për spote të transmetuara në televizione, ka shpenzuar 1.700 euro.

Zenaj tha se edhe kur partitë politike deklarohen, sipas Ligjit për zgjedhje në KQZ, lidhur me shpenzime gjatë fushatës zgjedhore të dhënat janë në shpërputhje me atë që deklarohet dhe shpenzimet e bëra në terren.

"Partitë politike shumë shpesh i zvogëlojnë shpenzimet në deklarimet e tyre, duke i paraqitur si shumë më të vogla. Nga e kaluara presim që edhe kësaj here të kemi të njëjtën gjë", tha Zenaj.

Drejtoresha për Regjistrimin e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Miradije Mavriqi, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike nuk mund të shpenzojnë më shumë para, sesa që është e caktuar me ligj.

Në bazë të KQZ-së, partitë politike nuk mund shpenzojnë më shumë para se 0.50 cent për votues. Në bazë të numrit të votuesve dhe shumës totalë të buxheti të ndarë, del se kjo shumë mund të arrijë diku rreth 942 mijë euro.

"Në rast se [partitë politike] shpenzojnë më shumë, sigurisht se gjatë kontrollimit apo të auditimit të atyre raporteve që i dorëzojnë subjektet politike, auditori do të caktojë, do të jap vërejtje lidhur me atë se sa ka shpenzuar. Ekzistojnë sanksione apo gjoba që mund të shqiptohen ndaj tyre", tha Mavriqi.

Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro.

Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike thuhet se financohen edhe nga burime tjera, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, nuk dihet se kush janë, pasi që nuk bëhen transparente.

Ndryshe, financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e Progresit që publikon Komisioni Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG