Ndërlidhjet

Financimi i partive politike edhe nga adresat e dyshimta


Ilustrim
Ilustrim

Mungesa e transparencës financiare të subjekteve politike ka ngritur dilema të mëdha te përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, lidhur me mënyrën e financimit, përfshirë edhe fushatat zgjedhore.

Fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, nis më 31 maj.

Ata thonë se partitë politike bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen nga buxheti i Kosovës çdo vit.

Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro.

Kjo shumë atyre u ndahet më pas mbi bazën e përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në vazhdimësi ka pasur mungesë të shpjegimit nga ana e partive politike për burimet e financimit.

“Nuk besoj që mjetet financiare të buxhetit të Kosovës që ndahen për partitë politike janë ato që partitë politike shpenzojnë dhe të njëjtat janë të mjaftueshme për to. Partitë politike në vazhdimësi kanë hezitim të bëjnë auditime për shpenzimet e tyre”.

“Problemi më i madh i financimit të partive politike është gjatë kalendarit zgjedhor, ku çdo herë ka pasur probleme me transparencën e këtyre financave që partitë politike kanë dhe mungesën e shpjegimit të burimeve nga vinë”, thekson Zogaj.

Mungesa e llogaridhënies nga partitë politike rreth financimit të tyre, kryesisht të fushatave zgjedhore, sipas Zogajt, ‘ka të bëjë me atë se brenda këtyre financave të panjohura të partive politike ka diçka të dyshimtë’.

“Arsyeja pse partitë politike nuk janë transparente është se ka diçka për të fshehur para publikut, ka diçka të jashtëligjshme brenda subjektit apo ka diçka që organet e pavarura mund të iniciojnë procedura hetimore".

"Pra, ka të bëjë me mjete që janë të dyshimta, me mjetet që mund të jenë të krimit të organizuar, mjete që mundohen të hynë në sistem financiar jashtëligjshëm. Ky është problemi pse një subjekt politik nuk dëshiron të jetë transparent”, thekson Zogaj.

Financimi transparent i partive politike ka qenë në vazhdimësi kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e Progresit që publikon Komisioni Evropian.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar përfaqësuesit e partive kryesore politike në Kosovë mbi këtë çështje, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Megjithatë, ato kanë nënshkruar të hënën, me nismën e Institutit Demokraci për Zhvillim, deklaratën për rritje të transparencës dhe llogaridhënies financiare gjatë fushatës zgjedhore.

Me nënshkrimin e kësaj deklarate, partitë politike zotohen se "do t’i bëjnë publike raportet e tyre financiare me kohë ashtu siç parashihet me Ligjin mbi Financimin e Partive Politike".

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Demokraci për Zhvillim, Shpend Emini, ka thënë se mungesa e auditimit të financave të partive politike është e dëmshme për proceset demokratike në Kosovë.

“Ne si shoqëri civile kemi kritikuar vonesat që bëhen në proceset e auditimit të financave të partive politike. Kryerja e auditimit kontrollit dhe zbardhja e fondeve të financimit të partive politike do të ishte një hap i madh drejt transparencës dhe llogaridhënies të partive politike”, thekson Emini.

Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë.

Raportet financiare të partive politike pas dorëzimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duhet të auditohen nga auditorët, të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës nëpërmjet Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, me anë të një thirrjeje të hapur publike për aplikim.

Por, që nga viti 2013, nuk është bërë një auditim i tillë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG