Ndërlidhjet

Vëzhguesit e zgjedhjeve "mësyjnë" Kosovën


Ilustrim
Ilustrim

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do të vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor në Kosovë.

Përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se ende nuk dihet numri i saktë i vëzhguesve që do të përcjellin këtë proces, pasi që afati për aplikim, i filluar më 11 maj do të përmbyllet më 4 qershor.

Deri më tani, sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, pritet që Bashkimi Evropian të angazhojë rreth 100 vëzhgues të procesit zgjedhor në Kosovë.

“KQZ ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe presim që të kemi 100 vëzhgues vetëm nga Bashkimi Evropian, të cilët do të jenë prezent për të përcjellur procesin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, por edhe me herët, gjatë përgatitjeve për ditën e zgjedhjeve".

“Ne ende nuk e dimë numrin e përgjithshëm të vëzhguesve, qoftë nga subjektet politike, organizatat joqeveritare vendore dhe organizatat ndërkombëtare, pasi po presim përfundimin e procesit të aplikimit dhe akreditimit të këtyre vëzhguese nga ana e KQZ-së”, ka thënë Elezi për Radion Evropa e Lirë.

Vëzhgimi i zgjedhjeve, sipas Elezit, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është i domosdoshëm, pasi që do të ndikonte në integritetin dhe rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Vëzhgues të zgjedhjeve nga ana e Bashkimit Evropian kishte kërkuar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën kur kishte shpallur datën e zgjedhjeve.

Vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, do ta bëjë edhe organizata vendore, koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim”.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këto zgjedhje, nga ana e këtij koalicioni, do të jenë të angazhuar mbi 2500 vëzhgues.

“Demokracia në veprim është një koalicion i gjerë i organizatave vendore, të përkushtuara në sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor në Kosovë; të sigurohemi që vota e cila hidhet nga qytetarët në kutinë e votimit nuk deformohet dhe nuk shkon aty për ku nuk e ka pasur destinacionin".

“Edhe në këto zgjedhje do të mbulojmë të gjitha vendvotimet. Po presim që të jenë diku rreth 2500 vendvotime në tërë territorin e Kosovës, ndonëse ende nuk është certifikuar numri përfundimtar”, thekson Krasniqi

Gjatë dy proceseve paraprake zgjedhore, në ato lokale të vitit 2013 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 në Kosovë, thekson Krasniqi, procesi i zgjedhjeve ka avancuar shumë, për sa i përket procesit të administrimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve, megjithë parregullsitë e vogla të cilit ishin shënuar.

“Mund të mburremi që kemi pasur zgjedhje të mira, mirëpo sado që ka avancuar procesi i administrimit të zgjedhjeve, kanë avancuar edhe teknikat e partive politike për manipulimin e rezultateve”.

“Pra nuk është që manipulimi ndodhë vetëm në datën e zgjedhjeve, është një proces që ndodh edhe më herët, siç është për shembull vota klienteliste, fotografimi i votës dhe mënyra të tjera”, thekson Krasniqi.

Qytetarët presin ndryshime pozitive nga Qeveria e re
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Disa nga parregullsitë, të cilat ishin evidentuar nga vëzhguesit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 ishin votimet familjare, fotografimi i votës dhe presioni ndaj votuesve për të kuptuar se për kë kanë votuar.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan mocionin e mosbesimit për qeverinë, të votuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG