Ndërlidhjet

Një qendër votimi në Zveçan.
Një qendër votimi në Zveçan.

Si u zhvilluan zgjedhjet në veri?

  • Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.
  • Sipas KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe Zubin Potok.
  • Dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind dhe nuk u raportua për ndonjë incident.
  • Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.
  • Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.
13:34 23.4.2023

Vuçiq: Serbët nuk do t’iu shërbejnë interesave të të tjerëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cilësoi zgjedhjet në veri të Kosovës si “zgjedhje pushtuese”.

Duke folur gjatë një vizite në qytetin Donja Gradina në Bosnje dhe Hercegovinë, Vuçiq tha se pushteti në veri të Kosovës synon të vendoset nga ata që, siç u shpreh ai, nuk jetojnë atje.

“Deri në këto momente, vetëm disa serbë kanë dalë në të katër komunat së bashku. Serbët nuk do t’iu shërbejnë interesave të të tjerëve, duan t’iu shërbejnë interesave të tyre, duan paqen, por duan të luftojnë për interesat e popullit të tyre”, tha Vuçiq.

Beogradi zyrtar dhe Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - kanë bërë thirrje për bojkotimin e procesit zgjedhor në veri.

13:53 23.4.2023

Për ju që sapo na jeni bashkuar:

  • Deri në orën 11:00 kanë votuar gjithsejtë 313 qytetarë nga mbi 45.000 me të drejtë vote.
  • Zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen sot në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
  • Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në votime dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë. Thirrje të ngjashme kanë bërë më herët edhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës.
  • Në zgjedhje nuk është duke marrë pjesë Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila, sikurse Beogradi zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotimin e gjithë procesit.
  • Me gjithë kundërshtimet e Beogradit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mbështetur zhvillimin e procesit zgjedhor në veri.
14:21 23.4.2023

Si zgjidhet kryetari i komunës?

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse ai apo ajo fiton më shumë se 50%, plus një (1) votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, të hedhura në atë komunë.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50%, plus një (1) votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon rundin e dytë të zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme.

Rundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diel, katër javë pas rundit të parë.

Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rundin e dytë, zgjidhet kryetar i komunës.

15:16 23.4.2023

Konjufca bën thirrje për dalje masive në votime

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u bëri thirrje qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës që të votojnë “sa më masivisht” në zgjedhjet lokale.

Ai tha se zgjedhjet po mbahen “në një atmosferë të qetë dhe demokratike”.

“Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara”, shkroi ai në Facebook.

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Po ashtu, qytetarët po votojnë për të zgjedhur përbërjet e reja të asambleve komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG