Pamje nga një vendvotim në kontejner në Mitrovicë të Veriut
Nis hapja e vendvotimeve
Pak minuta pas orës 7:00 kanë nisur të hapen disa qendra të votimit në pjesën veriore të Kosovës, ku sot zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale.
Në disa të tjera ka vonesa, për shkak të, siç raportohet, mosmbërritjes së materialit zgjedhor.
Thirrje të ndryshme drejtuar qytetarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit.
Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.
“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.
Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.
Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës - Lista Serbe - nuk merr pjesë në zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.