Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale sfidojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë maqedonase


Votimi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 17 tetor në Maqedoninë e Veriut.
Votimi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 17 tetor në Maqedoninë e Veriut.

Rezultatet preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve e kanë nxjerrë fituese partinë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE në 22 komuna kundrejt Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë e cila drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev, që ka fituar nëntë komuna.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, që u mbajt më 17 tetor, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar tri komuna.

Në raundin e parë, qytetarët kanë zgjedhur krerët e rinj të 32 komunave, ndërkaq, 42 komuna do të shkojnë në balotazh më 31 tetor, si dhe Shkupi, që është njësi e veçantë administrative.

Votimi në Maqedoninë e Veriut përcillet me probleme teknike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Garë e ashpër për Shkupin

Në raundin e balotazhit, gara më e ashpër pritet të jetë për drejtimin e qytetit të Shkupit, ku kandidatja e pavarur, Danella Arsovska, që mbështetet nga VMRO-ja, në raundin e parë doli e para kundrejt kandidatit të Lidhjes Social Demokrate, Petre Shilegov.

Kjo garë duket edhe më sfiduese duke marrë parasysh se numrin më të madh të ulëseve për asamblenë komunale i ka fituar VMRO-ja për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur këshilli i qytetit të Shkupit përbëhej nga shumica e socialdemokratëve.

VMRO-DPMNE në raundin e parë ka siguruar fitore në pesë komuna të qytetit të Shkupit, komuna këto që drejtoheshin nga socialdemokratët e Zaevit.

Pse humbën në zgjedhje kandidatët e partisë së Zaevit?

Aleksandar Kërzhallovski nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtarë thotë për Radion Evropa e Lirë se Lidhja Social Demokrate është ndëshkuar në këto zgjedhje lokale, si rrjedhojë e politikave të gabuara në qeverisjen qendrore.

Ai e sheh si problematike përqendrimin e kësaj partie në temat kombëtare dhe jo në problemet konkrete, me të cilat ballafaqohen qytetarët në komuna të caktuara.

“Ky rezultat është një goditje e madhe për politikat e gabuara të Lidhjes Social Demokrate dhe koalicionit qeverisës. Qytetarët treguan se janë të interesuar për zgjidhjen e problemeve konkrete dhe jo për politika të mëdha. Rezultati është një porosi për gjithë ata udhëheqës që defiluan në komuna të caktuara gjatë fushatës zgjedhore, pasi qytetarët janë të pakënaqur me ata”, thotë Kërzhallovski.

VMRO-ja fton opozitën ta rrëzojë qeverinë

Lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski më 19 tetor bëri thirrje që partitë opozitare të bashkohen me qëllim rrëzimin e qeverisë, ndërsa theksoi se menjëherë pas zgjedhjeve lokale do të nisë bisedimet për formimin e shumicës së re parlamentare.

Ai këtë e ka arsyetuar pasi ka thënë se partia e tij ka fituar 50 mijë vota më shumë sesa partia e kryeministrit Zaev.

“Zgjedhjet treguan se ka disponim serioz antiqeveritar dhe pakënaqësi nga pushteti, ndërsa votat opo0zitare dhe qëllimi i tyre i përbashkët është ndryshimi i pushtetit dhe ardhmërisë së re të Maqedonisë”, deklaroi Mickovski.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh zyrtar i lartë i BDI-së, më 19 tetor është shprehur i bindur se shumica parlamentare është e qëndrueshme dhe nuk ka nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Tetova, test për qëndrueshmërinë e qeverisë

Në Tetovë, komunën më të madhe të banuar me shumicë shqiptare, në balotazh do të përballen kryetarja aktuale Teuta Arifi nga BDI-ja dhe Bilall Kasami nga Lëvizja Besa. Dallimi në vota, në raundin e parë të zgjedhjeve, në mes të dy kandidatëve ishte 600 vota.

Për fitoren e cilitdo prej këtyre kandidatëve, vendimtare pritet të jenë votat e socialdemokratëve. Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se nëpër komuna do të mbështesë partnerët e koalicionit. Në koalicionin qeverisës, aktualisht bën pjesë BDI-ja e Ali Ahmetit dhe Lëvizja Besa. E në rastin e Tetovës, ai duhet të zgjedhë njërin nga partnerët e koalicionit.

Vladimir Bozhinovski, drejtues i Institutit për Kërkime Politike në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Zaev ditëve në vazhdim, përpos betejës për të fituar komunat ku kandidatët e partisë së tij garojnë, do të përballet edhe me sfidën e kalkulimeve për të ruajtur stabilitetin e qeverisë, për shkak se për shumicën parlamentare, çdo votë e deputetëve është e rëndësishme.

Sipas Bozhinovskit, balotazhi në Tetovë mund të prodhojë aleanca të reja mes partive shqiptare, që aktualisht janë pjesë e qeverisë, me partinë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.

“Në Tetovë kemi një situatë ku votat e opozitës, këtu flas për Aleancën për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-në, nëse vendosin ta mbështesin ndonjërin prej kandidatëve, do ta përcaktojnë fituesin. Pikërisht këtu fillojnë kalkulimet për një shumicë të re parlamentare”, thotë ai.

Në këtë drejtim, Arsim Sinani nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Tetova si komunë që ka numrin më të madh të deputetëve, përcakton edhe fitoren në mesin e shqiptarëve.

“Zaevi në njërën anë do të duhet të luajë rolin për të sjellë fitore për partinë e tij në bllokun maqedonas, që duket se do të jetë e vështirë për të, dhe nga ana tjetër do të duhet të luajë rolin e zjarrfikësit në mes partnerëve të koalicionit qeveritar, që gjithashtu do të jetë e vështirë”, thotë Sinani.

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale nga misioni i OSBE/ODIHR, janë vlerësuar si të qeta dhe demokratike, por ky mision ka thënë se ka pasur disa probleme gjatë votimit, kryesisht me aparatet biometrike për votim, shumë prej të cilëve ishin jashtë funksionit që në nisjen e procesit të votimit më 17 tetor.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG