Ndërlidhjet

Zaev: Morëm mesazhin e qytetarëve - VMRO i fiton zgjedhjet


KSHZ-ja ende s'ka dalë me rezultate zyrtare, por partitë në Maqedoninë e Veriut kanë festuar rezultatet e arritura nëpër komuna
KSHZ-ja ende s'ka dalë me rezultate zyrtare, por partitë në Maqedoninë e Veriut kanë festuar rezultatet e arritura nëpër komuna

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk ka dalë me rezultatet e zgjedhjeve të lokale të së dielës në Maqedoninë e Veriut, por bazuar nga të dhënat në faqen zyrtare, në shumë komuna kanë fituar kandidatët e opozitës maqedonase, të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.

Kjo parti shpalli fitoren e saj në më shumë se 20 komuna nga 80 sa janë gjithsej, ndërsa në rrethin e dytë kandidatët e saj udhëheqin, po ashtu, në mbi 20 komuna.

“Ne rrethin e parë kemi fituar në 22 komuna, në më shumë se 20 komuna në rrethin e dytë do të jemi në epërsi, ndërsa në komunat tjera në garë hyjmë si të dytët, por me gjasa reale për ta përmbysur rezultatin. Në epërsi jemi edhe në Shkup, ku kandidatja e pavarur Danella Arsosvaka që ka mbështetjen e VMRO-së, është para kandidatit të partive në pushtet, Petre Shilegov”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, duke shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet lokale të së dielës.

“Kjo është një fitore e madhe e popullit të Maqedonisë, është një fitore e të rinjve, e të moshuarve, burrave e grave të këtij vendi, e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësinë e tyre etnike, fetare apo profesionale. Pavarësisht të gjitha parregullsive, presioneve e veprimeve të shumta kriminale, ka fituar populli. Sonte ka lindur një shpresë e re, populli mori fatin në duart e tij. E ardhmja e re ka ngadhënjyer mbi të kaluarën, ka fituar mbi ndarjet”, ka deklaruar Mickovski.

Kryeministri Zoran Zaev në një paraqitje në orët e hershme të mëngjesit të ditës së hënë, ka thënë se beteja ende nuk ka përfunduar dhe për në rrethin e dytë zgjedhor ka parlajmëruar bashkëpunim me, siç ka thënë, të gjitha “forcave progresive për të parandaluar kthimin e së keqes në pushtet”.

“Kokën lart. Ne e morëm mesazhin e qytetarëve. Ata presin edhe më shumë punë… LSDM-ja hyn në rrethin e dytë në 36 komuna, përfshirë qytetin e Shkupit, ku kandidati ynë aktualisht kryeson me rreth 15 mijë vota. Kjo është arsyeja pse ne presim një rezultat solid më 31 tetor. Para rrethit të dytë, do të bashkohen të gjitha forcat progresive nga koalicioni me të cilin jemi në pushtet për ta mundur të keqen e këtij vendi”, ka deklaruar Zaev.
Për dallim nga Zaevi, KSHZ-ja në faqen e saj zyrtare, në qytetin e Shkupit fitues në rrethin e parë nxjerr kandidaten e pavarur, Danella Arsovska, të cilën e mbështet opozita maqedonase.

Votimi në Maqedoninë e Veriut përcillet me probleme teknike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Lidhur me procesin zgjedhor, vlerësimet e tyre i kanë dhënë edhe partitë shqiptare. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shpallur fitoren e partisë së tij në tri komuna dhe epërsinë në rrethin e dytë në më shumë komuna tjera. Ahmeti procesin zgjedhor e ka vlerësuar të qetë dhe demokratik.

“Të dielën u demonstrua një kulturë demokratike, sepse zgjedhjet janë pasqyra e një shteti me çka ky proces ka kaluar siç është më së miri. BDI-ja zgjedhjet në rrethin e parë i ka fituar në komunat e Sarajit, Likovës dhe Pllasnicës, ndërsa në rrethin e dytë udhëheq në komunat e Tetovës, Çairit, Kërçovës, Strugës, Zhelinës, Tearcës, Bogovinës, Haraçinës e Dollnetit”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, Zijadin Sela, drejtues i koalicionit opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, shpalli fitoren në dy komuna dhe hyrjen në garën e rrethit të dytë në pesë komuna tjera.

“Ne, si koalicion, shpallin fitoren në rrethin e parë në komunat e Gostivarit dhe Dibrës, ndërsa në pesë komuna tjera shkojmë në rreth të dytë ku do të ketë balotazh. Kuptohet që jemi të fokusuar dhe besoj se do t’ia dalim, që numri i komunave që do të udhëheqë opozita shqiptare të jetë edhe më i madh”, ka deklaruar Sela.

Por, bazuar në rezultatet e KSHZ-së që ende nuk janë shpallur, balotazh do të ketë edhe në komunat e Gostivarit dhe Dibrës, ku në epërsi nga rrethi i parë janë kandidatët e opozitës shqiptare. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte mbi 50 për qind nga rreth 1.8 milionë qytetarë më të drejtë vote.

Procesi zgjedhor është vlerësuar kryesisht i qetë, me disa parregullsi që nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit. Në orët e para janë regjistruar probleme teknike me aparatet për identifikimin biometrik të votuesve.

Për kryetarë të komunave garuan 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Më së shumti kandidatë kishte për kryetar të Shkupit, gjithsej 12.
Rrethi i dytë do të mbahet më 31 tetor ku në garë marrin pjesë dy kandidatët që morëm më shumë vota në rrethin e parë zgjedhor.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG