Ndërlidhjet

VMRO dhe BDI shpallin fitoret, LSDM-ja pret rrethin e dytë


Votimi në Maqedoninë e Veriut përcillet me probleme teknike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Votimi në Maqedoninë e Veriut përcillet me probleme teknike

Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja shpalli të dielën në mbrëmje fitoren e saj në zgjedhjet lokale në të cilat qytetarë votuan për drejtuesit e 80 komunave, dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal, si dhe asambletë komunale.

Edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në përpunimin kompjuterik të të dhënat nxjerrë fitues opozitën maqedonase, por derisa KSHZ-ja vonon me rrumbullakimin e të dhënave, partitë kanë dalë me rezultate konkrete.

“Ne rrethin e parë kemi fituar në 22 komuna, në më shumë se 20 komuna në rrethinë dytë do të jemi në epërsi, ndërsa në komunat tjera në garë hyjmë si të dytët, por me gjasa reale për të përmbysur rezultatin. Në epërsi jemi edhe në Shkup, ku kandidatja e pavarur Danella Arsosvaka që ka mbështetjen e VMRO-së është përpara kandidatit të partive në pushtet, Petre Shilegov”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski duke shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet lokale të së dielës.

“Kjo është një fitore e madhe e popullit të Maqedonisë, është një fitore e të rinjve, e të moshuarve, burrave e grave të këtij vendi, e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësinë e tyre etnike, fetare apo profesionale. Përkundër të gjitha parregullsive, presioneve e veprimeve të shumta kriminale, ka fituar populli. Sonte ka lindur një shpresë e re, populli mori fatin në duart e tij. E ardhmja e re ka ngadhënjyer mbi të kaluarën, ka fituar mbi ndarjet”, ka deklaruar Mickovski.

Nga Lidhja Social Demokrate kanë thënë se beteja nuk ka përfunduar duke rikujtuar rrethin e dytë zgjedhor, por edhe kjo parti ka shpallur fitoren në disa komuna që në rrethin e parë zgjedhor. Për dallim nga ciklet e kaluara zgjedhore, të dielën në mbrëmje para mediat nuk është paraqitur kryetari i saj, njëherësh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“LSDM-ja deri në këto momente është duke fituar apo është në epërsi në më shumë se 20 komuna, 27 apo 28 komuna. Jemi në epërsi edhe në Shkup. VMRO-DPPMNE-ja në mënyrë joracionale po tenton që të krijojë një eufori të rrejshme dhe është një tregues i qartë i injorancës politike të Hristijan Mickovskit. Kjo nuk është një arenë për të brohoritur. Zgjedhjet lokale kanë gjithmonë një raund të dytë, kjo është arsyeja pse Micko duhet të përmbahet”, ka deklaruar Lupço Nikollovki, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

Lidhur me procesin zgjedhor, vlerësimet e tyre i kanë dhënë edhe partitë shqiptare. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka shpallur fitoren e partisë së tij në tri komuna dhe epërsinë në rrethin e partitë në më shumë komuna tjera. Ahmeti procesin zgjedhor e ka vlerësuar të qetë dhe demokratik.

“Të dielën u demonstrua një kulturë demokratike sepse zgjedhjet janë pasqyra e një shteti me çka ky proces ka kaluar siç është më së miri. BDI-ja zgjedhjet në rrethin e parë i ka fituara në komunat e Sarajit, Likovës dhe Pllasnicës ndërsa në rrethin e dytë udhëheqë në komunat e Tetovës, Çairit, Kërçovës, Strugës, Zhelinës, Tearcës, Bogovinës, Haraçinës e Dollnetit”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, Zijadin Sela, drejtues i koalicionit opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa njoftoi fitoren në dy komuna dhe hyrjen në garën e rrethit të dy në pesë komuna tjera.

“Ne si koalicion shpallin fitoren në rrethinë e parë në komunat e Gostivarit dhe Dibrës, ndërsa në pesë komuna tjera shkojmë në rreth të dytë ku do të ketë balotazh. Kuptohet që jemi të fokusuar që të besoj se do t’ia dalim, që numri i komunave që do të udhëheqë opozita shqiptare të jetë edhe më i madh”, ka deklaruar Sela.

Pjesëmarrjen në zgjedhje ishte mbi 50 për qind nga rreth 1.8 milion qytetarë më të drejtë vote.

Procesi zgjedhor është vlerësuar kryesisht i qetë, me disa parregullsi që nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit. Në orët e para janë regjistruar probleme teknike me aparatet për identifikimin biometrik të votuesve.

Për kryetarë të komunave garuan 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Më së shumti kandidatë kishte për kryetar të Shkupit, gjithsej 12.

Zgjedhjet mbahen me dy rrethe zgjedhore. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr mbi 50 për qind të votave në rrethin e parë, atëherë në balotazhin më 31 tetor kalojnë dy kandidatët me numrin më të madh të votave në rrethin e parë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG