Ndërlidhjet

Zgjatja e pushimit dimëror imponon rishikimin e programeve mësimore


Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që gjysmëvjetori i dytë të fillojë më 1 shkurt.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që gjysmëvjetori i dytë të fillojë më 1 shkurt.

Mësimdhënësit në Maqedoninë e Veriut thonë se zgjatja e pushimit dimëror për dy javë imponon nevojën e rishikimit të programeve mësimore nga ana e dikasterit të arsimit, në mënyrë që të shmanget presioni mbi ta për të arritur t’i mbulojnë të gjitha orët e humbura mësimore të parapara me programin mësimor.

Këto reagime vijnë pas vendimit të Qeverisë maqedonase që gjysmëvjetori i dytë të fillojë më 1 shkurt, me ç’rast pushimi dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme është zgjatur për dhjetë ditë.

Nga Ministria e Arsimit kanë siguruar se pushimi i zgjatur dimëror nuk do të ndikojë në realizimin e gjithë planprogramit mësimor dhe përmbylljen më kohë të vitit shkollor 2021-2022.

Por, Satki Ismaili, mësues i lëndës së Matematikës thotë për Radion Evropa e Lrë se nxënësit e shkollave fillore me zgjatjen e pushimit për dy javë do të humbasin më shumë sesa thjesht orë mësimore të kësaj lënde. Sipas Ismailit, nevojiten instruksione të qarta nga dikasteri i arsimit se cila njësi mësimore duhet reduktuar për të pas një qasjeje të unifikuar te të gjithë mësimdhënësit për sa i përket shkurtimit të planprogramit mësimor.

“Ekspertët, po edhe të gjithë ne që punojmë me nxënësit, i dimë vështirësitë që do të shfaqen në të ardhmen pas kësaj, (shtyrjes së fillimit të gjysmëvjetorit të dytë). Ne, si mësimdhënës, duhet të bëjmë një revidim të njësive mësimore, programit mësimor pasi bëhet fjalë për një periudhë prej dy javëve dhe ata mësimdhënës në lëndë të caktuar që kanë 5 orë në javë do t’i humbin dhjetë orë për dy javë. Ne, si mësimdhënës, do të ballafaqohemi me këtë problematikë se cilat orë do të tërhiqen tërësisht dhe cilat pjesërisht kur dihet se gjysmëvjetori nuk do të zgjatet dhe nuk do të ketë orë plotësuese”, thotë Ismaili.

Ai nënvizon se duhet shqyrtuar me shumë seriozitet reagimin e ashpër të zyrës së UNICEF-it, e cila ka apostrofuar faktin se Maqedonia e Veriut është shteti që kishte mbylljen me afatgjate të shkollave në rajon, përkatësisht për 54 javë shkollat mbetën të mbyllura.

Në reagimin e UNICEF-it theksohet se “Më shumë se 60 për qind e mësuesve janë shprehur se nxënësit kanë vështirësi në përvetësimin e programeve arsimore për shkak të mbylljes së shkollave”.

“Dikush do të thotë se bëhet fjalë vetëm për dy javë, por duhet pasur parasysh se dy javë janë shumë për nxënësit pasi edhe një javë tjetër nevojitet për adaptim, veçanërisht kur nxënësit mësohen me një pushim më të gjatë. E kishim edhe reagimin e UNICEF-it në këtë drejtim që nuk pajtohet me këtë shtyrje të fillimit të gjysmëvjetorit të dytë mësimor për nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme. Ne duhet të shohim se çka ndodh edhe në shtetet e tjera pasi edhe më tej do të ballafaqohemi me sfidat e pandemisë. Shtrohet pyetja se gjithmonë do të kemi ndërprerje të mësimit, vetëm ne si shtet”, shprehet Ismaili.

Ai konsideron se ky vakum mësimor prej dy javësh do të ketë pasoja te nxënësit dhe njohuritë e tyre.

Vendimin për shtyrjen e procesit mësimor Ministria e Arsimit e kishte arsyetuar me rritjen e numrit të të infektuarve dhe mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Vendimi është marrë në interes të mbrojtjes së shëndetit të nxënësve, në mbrojtjen e shëndetit të arsimtarëve dhe prindërve, në bazë të vlerësimeve të autoriteteve shëndetësore në vend dhe sipas situatës në të cilën gjendemi, në kulmin e epidemisë”, në këtë mënyrë e kishte arsyetuar shtyrjen e fillimit gjysmëvjetorit të dytë ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.

Edhe Zllate Mehmedoviq i angazhuar në COVID-qendrën në Shkup e arsyeton prolongimin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë. Madje, sipas tij, nëse gjendja epidemiologjike do të jetë po kaq e keqe sa është aktualisht, duke shënuar rritje numri i të infektuarve, duhet menduar për prolongim edhe të një jave plotësuese.

“Gjendja epidemiologjike duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe nëse edhe pas dy javësh gjendja epidemiologjike është e keqe, gjithsesi se duhet të mendojmë për ndërmarrjen e masave në drejtim të uljes së përhapjes së virusit, qoftë me aplikimin e mësimit online, madje si mundësi mund të jetë edhe prolongimi i mësimit edhe për një javë plotësuese”, thotë Mehmedoviq.

Në këtë drejtim, Naser Miftari, profesor në gjimnazin e Shkupit, thotë se mësimdhënësit dhe nxënësit duhet t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që i jep digjitalizimi pasi mungesa në shkolla do të krijojë një zbrazëtirë të madhe në procesin edukativo-arsimor te gjeneratat e reja.

“Sot jemi në gjendje të kyçemi, të flasim përmes pajisjeve digjitale. Çështje tjetër është cilësia e mësimit online, qoftë në formë pasive apo aktive. Ballafaqimi i mendimeve të ndryshme në mesin tonë si mësimdhënës ka të bëjë me faktin se ne nuk e kemi ditur se me ç`shpejtësi mund t’u përshtatemi rrethanave që solli digjitalizimi”, thotë Miftari për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se autoritetet e dikasterit të arsimit duhet të analizojnë në mënyrë shkencore prioritet që solli digjitalizimi dhe mësimi online dhe ai të vihet në funksion në çdo moment qëpërhapja e virusit detyron mbylljen e shkollave duke i dhënë prioritet edhe në ato raste mësimit të kombinuar.

Gjatë javës së fundit numri i të infektuarve brenda ditës është mbi 2 mijë persona. Përderisa gjatë gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor, ish- ministrja e Arsimit, Milla Carovska, tërë kohën kishte theksuar se të dhënat kanë paraqitur një numër të ulët të nxënësve të infektuar, me vetëm 0,01 për qind raste të reja te nxënësit dhe 0,03 për qind te mësimdhënësit.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se gjatë dy javëve të para të këtij viti kur shkollat ishin të mbyllura për pushimet dimërore, numri i të infektuarve te grupmoshat më të reja është rritur për 4 herë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG