Ndërlidhjet

Mësimi online, sfidë për familjet me shumë fëmijë


Ilustrim
Ilustrim

Mësimi online në Maqedoninë e Veriut, mbetet sfidë për familjet, të cilat kanë më shumë fëmijë, veçanërisht gjatë kohës së dimrit, kur krahas sfidës për të siguruar për të gjithë pajisje teknologjike, duhet ngrohur më shumë hapësira.

Ana Stojmanova, nënë e tre fëmijëve, të cilët në të njëjtën kohë ndjekin mësimin online në shkollën fillore “Vëllezërit Milladinoci” në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se përballen me shumë vështirësi, pasi banesa prej rreth 50 metrash katrorë, nuk mundëson që secili të ketë zonën e tij të komforit.

“Është shumë vështirë. Nuk mund të sigurojmë hapësira të ndara për të tre fëmijët, tavolina pune dhe kompjuterë. Përderisa të tre fëmijët në të njëjtën kohë ndjekin mësimin online, kjo për ne, si familje, paraqet shumë problem. Më sfiduese bëhet kur arsimtarët shtrojnë pyetje dhe ata duhet të hapin mikrofonin, ndodh që kjo kërkohet nga të tre fëmijët të njëjtën kohë dhe këtu fillon kaosi, kur ata përgjigjen njëkohësisht dhe përzihen zërat e tyre me këtë dhe përgjigjet që ata japin”, tregon ajo.

Ana Stojmanova thekson se mësimi online e ka goditur buxhetin familjar në masë të theksuar, pasi është dashur të ndryshohet pakoja e internetit, e cila tash është më e kushtueshme, në mënyrë që të tre fëmijët të mund të ndjekin mësimin online dhe të mos bjerë sistemi, njëkohësisht është dashur të ndajnë mjete për një kompjuter plotësues dhe një smartfon.

Ndërkaq, Satki Ismaili, mësues i shkollës fillore “Qirili dhe Metodij”, në Tetovë, njëherësh dhe trajnues nacional për mësimdhënësit, i angazhuar nga dikasteri i arsimit në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se me ligj nuk është e rregulluar çështja e problemeve, me të cilat përballen fëmijët që nuk arrijnë të sigurojnë pajisje adekuate për të ndjekur mësimin online, megjithëse ai shton se po ofrohen më shumë mundësi për t’u dalë në ndihmë këtyre fëmijëve, mjafton vullneti nga mësimdhënësit.

“Ne përpiqemi maksimalisht që si punëtorë të arsimit, këtyre nxënësve t’u dalim në ndihmë. Te një pjesë e madhe e mësimdhënësve eksziston një empati për të ndihmuar këtë këtë kategori të nxënësve”.

“Si e bëjmë këtë ndihmë? Ka mënyra të ndryshme, lidhemi me ta pas mësimeve 10 minuta shtesë për t’u dhënë instruksione si t’i përvetësojnë leksionet e caktuara kur i kanë të lira pajiset elektronike nga motrat ose vëllezërit e tyre”, thotë Ismaili.

Nga ana vjetër, sociologët thonë se mësimi online e ka thelluar edhe më shumë hendekun mes të pasurve dhe shtresës së mesme, e cila si rrjedhojë e krizës së pandemisë rrëshqet gjithnjë e më shumë në kategorinë e familjeve me status të rrezikuar social.

Ndryshe, më shumë se 40 mijë nxënës të shkollave të ndryshme të Maqedonisë së Veriut mbeten jashtë procesit mësimor online për shkak të pamundësisë për të siguruar pajisje teknologjike adekuate, si llaptop, tablet ose smartfone, si dhe internet.

Ministria e Arsimit ka theksuar se arsimtarët obligohen që këtyre nxënësve t’u sigurojnë materiale në formë të shkruar, dhe të njëjtat mësime këta nxënës mund t’i ndjekin përmes leksioneve, të cilat emetohen në Televizionin publik të vendit.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Milla Carovska, ka theksuar se procesi arsimor është duke u realizuar me sukses, dhe se aktualisht mbi 90 për qind e nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme janë duke e ndjekur me sukses mësimin online.

Gjorgji Tonovki, ligjërues në Universitetin e Shkupit, thotë se kjo situatë do të lërë vrragë në zhvillimin e mëtejmë, si në aspektin social, ashtu dhe atë arsimor te një pjesë e madhe e nxënësve, të cilët nuk arrijnë të inkuadrohen në procesin arsimor online.

Tonovski thotë se kompjuterët dhe hapësirat e ndara, përkatësisht dhomë e veçantë komode për çdo nxënës, mbetet privilegj për një pjesë të caktuar të nxënësve, përderisa për pjesën tjetër shija e hidhur e pamundësisë për të qenë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre, do t’i ndjekë tërë jetën.

“Është e kuptueshme se do të këtë pasoja të mëdha gjatë procesit edukativo-arsimor të kësaj kategorie të nxënësve, duke u shkaktuar frustracione të thella dhe dhembje shpirtërore në kuptimin ‘unë nuk kisha mundësi përderisa shokët e mi e kishin mundësi të këtillë’. Duhet kuptuar se kompjuteri për çdo nxënës është sikurse lapsi që ishte në të kaluarën , nuk është nevojë por domosdoshmëri dhe në këtë drejtim duhet orientuar politikat e Ministrisë së Arsimit”, vlerëson Tonovski.

Mësimin me prani fizike në Maqedoninë e Veriut, aktualisht, e ndjekin vetëm nxënësit e shkollës fillore nga klasa e parë deri në klasën e tretë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG