Ndërlidhjet

Masat mbrojtëse ndikuan në shëndetin mendor të të rinjve


Grafite të frymëzuar nga pandemia me COVID-19 në Shkup - Foto nga arkivi.
Grafite të frymëzuar nga pandemia me COVID-19 në Shkup - Foto nga arkivi.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut thonë se pavarësisht se grupmoshat më të reja më lehtë iu përshtaten kushteve të izolimit dhe kryerjes së obligimeve përmes mjeteve elektronike, kufizimet që ka imponuar koronavirusi ka ndikuar në shëndetin mendor te kjo kategori e popullsisë.

“Është shumë e vështirë për një të ri, i cili gjithmonë është mësuar të jetë në lëvizje, në shoqëri, të jetë aktiv në jetën e tij, përnjëherë të detyrohet të izolohet për shkak të pandemisë. Mendoj se mënyra se si janë adaptuar të rinjtë ndaj kufizimeve që imponoi COVID-19 ka ndikuar shumë në rritjen e depresionit në mesin e të rinjve, pasi shumë e vështirë ka qenë përshtatja, një kategori e shoqërisë e cila ishte më aktivja, përnjëherë u detyrua të jetë më e izoluar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Blendi Hodai, student.

Ai rikujton se pikërisht për këtë arsye ka qenë më i zëshëm edhe si kryetar i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme në fillimin e pandemisë që mësimi të mos mbahet vetëm online, por të jetë i kombinuar.

Mungesa e qendrave të specializuara për trajtimin e depresionit në mesin e të rinjve ka bërë që ata vetë të organizohen për t’u dalë në ndihmë bashkëmoshatarëve.

Milka Mukaetova, e cila është e angazhuar si vullnetare në Qendrën këshilluese në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka qenë me fat që në fillim të studimeve, ligjëratat i ka ndjekur me prani fizike pasi është dëshmitare se me sa shumë vështirësi janë ballafaquar kolegët e saj që janë regjistruar në këtë fakultet vetëm një vit më vonë ku gjithçka ka qenë online.

Fillimi i studimeve, shton ajo, vetvetiu është një sfidë e madhe, e kur ia shton kësaj dhe ndjekjen e ligjëratave online në një fakultet që ka nevojë që gjithmonë të jetë në kontakt me pacientët, gjithsesi paraqet problem për shëndetin mendor.

“Anoreksia, nervozizmi, trema, problemet me pagjumësinë, nganjëherë dhe hutia, ndjesia se jeni humbur janë këto simptoma që reflektojnë të rinjtë si pasojë e pandemisë. Atyre u duhet më shumë mbështetje pasi ndihen të vetmuar, ndonëse dhe të izoluar. Pra, kanë nevojë ta dinë se janë pjesë e një gjëje dhe se gjithçka do të jetë në rregull. Por, njëherësh më duhet të theksoj se një benefit që ka sjellë pandemia është fakti se tani flitet hapur për shëndetin mendor. Më herët kjo gjë fshihej, ose flitej në heshtje, në një rreth më të ngushtë, tani problemet e këtilla diskutohen dhe kërkohet ndihmë”, thotë ajo.

Të rinjtë duhet të inkurajohen që të kërkojnë ndihmë

Marija Mladenovska-Dimitrovska, psikologe në një shkollë të mesme në Manastir, thotë në një bisedë për Radion Evropa e lirë se duhet gjetur mekanizma që të rinjtë të inkurajohen të kërkojnë ndihmë sapo të shfaqin shenjat e para të depresionit, pasi edhe terapia është shumë më e lehtë në ato raste.

“Nevojitet ngritja e vetëdijes se shëndeti mendor është një çështje serioze dhe se kërkimi i ndihmës nuk është aspak çështje që duhet parë si turp. Është e kuptueshme që të rinjtë mbeten kategoria më e ndjeshme pasi atyre iu kufizua jeta sociale, njëherësh kryekëput ndryshoi mënyra e të mësuarit me këtë dhe bioritmi dhe kthimi në një normalitet duket se për disa mbetet i vështirë andaj ata nuk duhet të hezitojnë që të kërkojnë ndihmë”, thotë Dimitrovska.

Nga Këshilli Kombëtar i të Rinjve në Maqedoni tv Veriut thonë se në qendrat këshillimore që ata i kanë hapur me fillimin e pandemisë, më shumë të rinj kanë shfaqur interes për t’i vizituar për shkak të shqetësimeve që kanë pasur me shëndetin mendor.

Nga ky Këshill thonë se nevojiten më shumë qendra që do të ofrojnë shërbime pa pagesë ku të rinjtë do të mund të drejtohen për shqetësimet që kanë rreth shëndetit mendor.

“Sa më shumë qendra të tilla të ketë, njëherësh dhe më shumë të rinj të nxiten për të shprehur problemet rreth shëndetit mendor, aq më i vogël do të jetë stigmatizimi i të rinjve që shfaqin probleme rreth shëndetit mendor”, thotë Aleksandra Filipova nga Këshilli Kombëtar i të Rinjve.

Ndryshe, në bazë të Strategjisë Kombëtare për avancimin e shëndetit mendor të miratuar para pandemisë për periudhën 2018-2025 është paraparë që deri më 2020 të hapen gjashtë qendra për shëndetin mendor të të rinjve në Shkup, Tetovë, Manastir, Kumanovë, Shtip dhe Strumicë, por të njëjtat akoma nuk janë hapur. Autoritetet shëndetësore janë arsyetuar me mungesën e mjekëve psikiatër.

E, psikologët thonë se vonesat për trajtimin e shëndetit mendor me kohë do të kenë një kosto të lartë për tërë shoqërinë vite më vonë kur ky problem do të jetë më i vështirë për t’u menaxhuar.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG