Ndërlidhjet

Pandemia rriti çrregullimet e të ushqyerit te adoleshentët


Disa studentë në një kampus universitar në Shtetet e Bashkuara.
Disa studentë në një kampus universitar në Shtetet e Bashkuara.

Shumë shtretër të spitaleve janë të mbushur. Listat e pritjes për t’u trajtuar janë të gjata. Prandaj adoleshentët dhe të rinjtë, që kërkojnë ndihmë për probleme me ushqim, shpesh duhet të presin disa muaj për të bërë një termin.

Pandemia ka ndikuar negativisht në çrregullimit e të ngrënit, duke rezultuar me rritje të numrit të personave që kanë probleme të tilla dhe sipas mjekëve dhe specialistëve, shkalla e këtyre problemeve nuk po bie, pavarësisht heqjes së disa kufizimeve për luftim të pandemisë.

“Ne jemi duke parë rritje masive”, ka thënë Jennifer Wildes, profesoreshë e psikiatrisë dhe drejtore e programit për çrregullime të të ngrënit në Universitetin e Mjekësisë në Çikago.

Disa pacientë janë duke pritur katër deri në pesë muaj për të marrë trajtime të psikoterapisë dhe trajtime tjera.

Pritjet kanë qenë vetëm disa javë para shpërthimit të pandemisë, ka thënë Wildes, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Në kuadër të programit të saj trajtohen rreth 100 pacientë, apo dyfish më shumë sesa para pandemisë, ka thënë mes tjerash ajo.

Programi Emily, që është krijuar në bashkëpunim me Universitetin e Minesotas, është duke u përballur me të njëjtën gjë.

Thirrjet ditore të njerëzve që kërkojnë trajtim janë rritur nga 60 më 2019, në mbi 130 prej kur ka nisur pandemia, ka thënë dietologia Jillian Lampert, shefe e programit.

“Ne e dimë se ankthi dhe izolimi janë faktorë të rëndësishëm që çojnë në çrregullime të të ushqyerit”, ka thënë ajo.

Ura që bashkon binjakët e ndarë nga koronavirusi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

Disa pacientë kanë thënë se “jeta ime duket se është jashtë kontrollit” për shkak të pandemisë dhe ngrënia e tepruar iu ndihmon si mekanizëm mbrojtës, ka thënë Lampert.

Të tjerë janë përballur me anoreksi.

Programet që kanë ofruar trajtime veçmas për secilin pacient apo edhe ato të llojeve të tjera, në shumë vende janë shndërruar në teleterapi, prej shpërthimit të pandemisë.

Disa programe janë rikthyer me prezencë, ndonëse pjesa më e madhe zhvillohen virtualisht.

“Ne kemi parë rritje të numrit” të pacientëve të të gjitha racave, të rinjve, adoleshentëve dhe ndonjëherë edhe fëmijëve të vegjël, ka thënë ajo.

Aty janë përfshirë edhe pjesëtarët e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), të cilët kanë tendenca që të kenë më shumë probleme me të ushqyerit, sesa grupet tjera.

Gratë dhe vajzat, janë po ashtu janë më prekura sesa burrat nga ky problem.

Peyton Crest, 18-vjeçare nga Minesota ka thënë se është përballur me ankth edhe para pandemisë, mirëpo kjo gjendje i është dyfishuar prej nisjes së krizës shëndetësore.

Ajo ka pasur ankth dhe ka qenë nën presion kur ka mbajtur mësimet online dhe ka respektuar masat e distancës fizike vitin e kaluar.

“Unë pata dashur që të aplikoj në kolegj”, ka thënë ajo. E ndarë papritur nga miqtë dhe shokët e klasës dhe rrethi i saj, ajo ka kaluar gjithë ditën e vetme në dhomë dhe është përqenderuar në mendimet për ushqim dhe sjelljen anoreksike.

Me insistim të prindërve të saj, ajo ka marrë trajtim lokal në qershor, dhe në shtator të vitit të kaluar i është kthyer sërish trajtimit në një qendër në Arizona.

Shkolla e saj së fundmi i është kthyer mësimit me prezencë, dhe ajo është pranuar në Kolegjin Rhodes në Memfis.

Cresot ka thënë se tani po ndihet më mirë.

“Shëndeti im mendor është përmirësuar dukshëm”, ka thënë ajo.

Wildes ka thënë se programi i saj nuk ka parë rënie të ritmit të çrregullimeve të tilla.

“Njerëzit nuk u janë kthyer ende krejtësisht rutinave të tyre”, ka thënë ajo, duke parashikuar se numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë nuk do të bie deri në vjeshtë.

Aleanca për Ndërgjegjësim të Çrregullimeve të Ushqimit, që ka nisur të ofrojë terapi virtuale gjatë pandemisë, po ashtu është përballur me rritje të interesimit.

Prej muajit janar, më shumë se 7,000 persona nga 32 shtete kanë marrë pjesë në grupet e mbështetjes, ka thënë udhëheqësja e aleancës Johanna Kandel.

“Është diçka që nuk kemi parë kurrë më parë”, ka thënë ajo.

Numri i personave të shtrirë në spital, sidomos vajzat me komplikime të rënda nga anoreksia, është gjithashtu në rritje.

Çrregullimet në ushqim prekin të paktën 9 për qind të popullsisë së botës.

Ato prekin rreth 30 milionë amerikanë përgjatë jetës së tyre dhe shkaktojnë rreth 10,000 vdekje në vit në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave të Asociacionit Kombëtar për Anoreksi dhe çrregullime të ngjashme.

Anoreksia është një nga çrregullimet më të shpeshta, çka shkakton shprehi të kufizimit të rëndë të ushqimit dhe dobësimit ekstrem.

Për pasojë, mund të përcillet me presion të ulët të gjakut dhe dëmtim të organeve.

Bulimia dhe çrregullime të ngjashme, përfshijnë ngrënien e një sasie të madhe të ushqimit, dhe më pas të vjellat e shkaktuara me qëllim.

Sipas një analize të të dhënave të rreth 80 spitaleve amerikane, është gjetur 30 për qind rritje e këtyre çrregullimeve prej marsit të vitit 2020, në krahasim me të dhënat e dy vjetëve paraprakë.

Analiza është publikuar në muajin prill nga revista shkencore Rrjeti Kërkimor për Shëndet.

“Pandemia e koronavirusit e ka përballur shoqërinë, dhe në veçanti adoleshentët, me një sfidë jashtëzakonisht të madhe psikologjike. Kjo ka qenë ngjarje e madhe që ka ndikuar në jetët e njerëzve në shumë mënyra dhe mund të kalojnë muaj apo vite para se të gjithë të vërejmë ndikimin e vërtetë”, ka thënë mjeku familjar Dave Little, njëherësh udhëheqës i analizimit të të dhënave.

Ai ka thënë se të dhënat duhet të alarmojnë prindërit dhe ofruesit e shërbimeve shëndetësore.

“Bisedoni me fëmijët, bisedoni me pacientët tuaj. Sigurohuni se shprehitë e të ushqyerit besin të shëndetshme dhe sapo të shihni se diçka mund të bëhet problem, sa më parë që përgjigjeni aq më mirë do të jetë”, ka thënë Little.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG