Më 20 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 25 vjet burgim Sefedin Osmanin, i cili akuzohej për dhunim të përsëritur dhe vrasjen e 11-vjeçarit nga komuniteti ashkali, Kujtim Veseli nga Fushë Kosova.
Për këtë rast, familja, avokatja dhe shoqëria civile kërkuan hetim penal ndaj zyrtarëve policorë si dhe prokurorëve të cilët, sipas tyre, por edhe sipas një raporti të Avokatit të Popullit, neglizhuan rrezikun më të cilin ishte duke u përballur Kujtimi.
Përkundër kërkesave, zyrtarët policorë shpëtuan pa u ndjekur penalisht, njëjtë siç kaloi edhe prokurori i rastit, Ruhan Salihu.
Pas një hetimi që u krye ndaj tij, me datë 12 nëntor 2019, Këshilli Prokurorial i Kosovës konstatoi se prokurori Ruhan Salihu, kishte kryer shkelje disiplinore përmes veprimeve të tij në rastin vrasjes së Kujtim Veselit.
“Zvogëlim i përkohshëm i pagës në 30 për qind për një periudhë kohore 6 muaj”, thuhej në vendimin e Këshillit Prokurorial për këtë rast.
Por, që nga kjo kohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës është duke refuzuar që të ofrojë qasje në dosjen e panelit hetimor i cili vendosi këtë masë disiplinore për prokurorin Salihu.
Skord Retkoceri, aktivist i shoqërisë civile, përmes shkresave që i posedon REL-i, ka kërkuar që të ketë qasje në dosjen e panelit hetimor, por KPK-ja ka refuzuar që ta mundësojë një gjë të tillë, ndonëse kjo çështje nuk është qartësisht e rregulluar me ligj.
Retkoceri thotë se refuzimi i KPK-së për të ofruar qasje në raportin e panelit hetimor i bënë ata të dyshojnë “që ka të dhëna të cilat KPK nuk dëshiron të bëhen publike, të dhëna të cilat do të mund të sjellin në pah parregullsi të tjera në procesin hetimor”.
Një prej arsyetimeve të KPK-së për moslejim të qasjes në raportin e panelit hetimor, është fakti se aty ka të dhëna personale, por kjo sipas Retkocerit, nuk është argument i mjaftueshëm.
“Ne në këtë rast jemi më shumë të interesuar ta dimë arsyetimin konkret për shqiptimin e sanksionit disiplinor aq të ulët, prandaj do të ishim të gatshëm që ta pranonim nga KPK vendimin dhe raportin hetimor ku të dhënat e dëshmitarëve janë të redaktuara”, thotë Ratkoceri.
Avokati i Popullit i rekomandoi KPK-së lejimin e qasjes
Avokati i Popullit parmes një shkrese më 3 mars 2021, i rekomandoi KPK-së që t’i ofrojë Skord Retkocerit qasje në dokumentet e kërkuara.
Në përgjigjen e KPK-së në shkresën e Avokatit të Popullit, thuhet se “raporti i panelit hetimor nuk mund të bëhet publik sepse nuk e lejon ligji”.
KPK-ja citon Nenin 41 të Kushtetutës, paragrafin 2, i cili thotë se “dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet e pushtetit shtetëror, janë publike me përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj për shkak të privatësisë”.
Refuzimin për të ofruar qasje në raportin e panelit hetimor, KPK-ja e arsyeton edhe me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Prokurorëve.
Kika: KPK-ja po vepron kundërligjshëm
Avokatja që përfaqëson pranë gjykatës rastin e Kujtim Veselit, Rina Kika, thotë se KPK-ja është duke vepruar jashtëligjshëm kur po pamundëson qasjen në dokumentet e panelit hetimor.
Ajo thotë se opinioni ka të drejt ta dijë se pse prokurori Ruhan Salihu, ka shpëtuar me një masë kaq të lehtë disiplinore siç është zvogëlimi i pagës për gjashtë muaj, kur sipas saj, si pasojë e neglizhencës së tij ka ndodhur edhe vrasja.
“Kemi kërkuar që të dimë se si është dënuar ai prokuror kur ka qenë duke ushtruar një funksion publik siç është ndjekja penale e kryerësve të veprave penale, e në këtë rast konkret, ndjekja penale e personit i cili e ka pranuar në stacion policor se e ka dhunuar seksualisht Kujtimin, ndërkaq prokurori [Ruhan Salihu] nuk e ka kërkuar as paraburgimin e as arrestimin e tij”, tha Kika.
Kika thotë se mosekzistimi i një dispozite që e detyron KPK-në që ta publikojë dokumentin “nuk është bazë për refuzimin e qasjes në dokumente publike”.
“Po flasim për vrasjen dhe dhunimin seksual të një fëmije, prandaj ne se publik kemi të drejtë që ta dimë nga KPK-ja se si kanë ardhur ata në atë përfundim, a e kanë marrë parasysh apo jo pasojën që është shkaktuar nga shkelja disiplinore e prokurorit dhe si ka mundësi që është shqiptuar një sanksion kaq i ulët”, tha Kika.
Heshtja e KPK-së
Të enjten më 1 prill 2021, Radio Evropa e Lirë i ka dërguar disa pyetje në KPK, mirëpo deri tash ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
REL ka pyetur KPK-në se pse po heziton të lejojë qasje në dokumentet e kërkuara nga shoqëria civile dhe avokatja e rastit si dhe për faktin se pse nuk janë anonimizuar të dhënat personale në mënyrë që të lejohet qasja në dosjen e panelit hetimor.
Megjithatë, në përgjigjen e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku për Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, si argument për moslejim të qasjes në raportin e panelit hetimor dhe pjesës tjetër të dosjes, përdoret fakti që publikimi i këtyre dokumenteve nuk është i përcaktuar me ligj.
Çfarë kishte ndodhur?
Kujtim Veseli një fëmijë 11-vjecar që i takonte komunitetit ashkali, u gjet i vdekur poshtë shkallëve të një objekti banimi në Fushë Kosovë, më 11 korrik 2019.
Sipas gjykatës, Sefedin Osmani, një fqinj që jetonte afër shtëpisë së viktimës, e kishte detyruar atë që të kryente akt seksual dhe pastaj e kishte vrarë duke e goditur me një mjet të fortë.
Sipas aktakuzës, Sefedin Osmani akuzohej se ka dhunuar seksualisht Kujtimin edhe më 29 janar 2019, për çka ishte denoncuar në polici nga babai i tij dhe nëna e viktimës.
Përkundër veprës së rëndë penale për të cilën dyshohej Osmani, intervistimi nga Policia e Kosovës, ishte kryer 65 ditë pasi kishte ndodhur rasti.
Në stacion policor, Osmani e kishte pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, por ndaj tij nuk u lëshua urdhërarrest e as nuk iu caktua masa e paraburgimit.
Ai vazhdoi të lëvizte i lirë deri më 11 korrik, 2019, kur besohet se fillimisht dhunoi e më pas ia mori jetën Kujtimit 11-vjeçar.
Para vrasjes, Prokuroria Themelore e Prishtinës, kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve, mirëpo i pezulloi ato më 26 qershor 2019, pasi që Osmani nuk iu përgjigj ftesës së prokurorisë.
Ai ishte person i njohur për institucionet e rendit pasi kishte 15 aktakuza aktive për vepra të ndryshme penale.
Më 20 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 25 vjet burgim Sefedin Osmanin pasi u gjet fajtor për dhunim të përsëritur dhe vrasjen e 11-vjeçarit, Kujtim Veseli.
Mirëpo ndaj këtij vendimi, është ankuar familja si dhe prokuroria duke kërkuar rritje të dënimit.
Facebook Forum