Ndërlidhjet

Dënohet me 25 vjet burgim vrasësi i të miturit, Kujtim Veseli


Foto nga një protestë në Prishtinë pas vrasjes së Kujtim Veselit.
Foto nga një protestë në Prishtinë pas vrasjes së Kujtim Veselit.

Me 25 vjet burgim është dënuar S.O, i cili akuzohej për dhunimin dhe vrasjen e 11-vjeçarit Kujtim Veseli nga Fushë Kosova.

Gjykata Themelore e gjeti atë fajtor për dy vepra penale: Vrasje e rëndë dhe Dhunim.

“I akuzuari S.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjetësh për veprat penale ‘Vrasje e rëndë dhe Dhunim’, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 16.07.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kujtimi 11-vjeçar, që i takonte komunitetit ashkali, u gjet i vdekur poshtë shkallëve të një objekti banimi në Fushë Kosovë, më 11 korrik, 2019.

Sipas gjykatës, S.O, e kishte detyruar 11-vjeçarin që të kryente akt seksual dhe pastaj e kishte vrarë duke e goditur me mjet të fortë.

“I akuzuari S.O me datë 11.07.2019 në Fushë Kosovë kishte detyruar të miturin K.V të kryente akt seksual dhe pastaj kishte përdorur dhunë ndaj tij, duke e goditur me mjet të fortë, ku si pasojë e këtyre goditjeve kishte ardhur deri te vdekja e dhunshme e tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Para shpalljes së vendimit, avokatja Rina Kika, që përfaqëson familjen Veseli, tha për Radion Evropa e Lirë se vrasja e Kujtimit mund të parandalohej sikur, S.O, të ishte arrestuar kur herën e parë u denoncuar për dhunim seksual të Kujtimit më 29 janar, 2019.

“Kur e kanë intervistuar [Policia e Kosovës], ai [S.O] e ka pranuar se ka dhunuar një fëmijë dhe nuk ia kanë caktuar ndalimin policor, që është një gjë që mund ta bëjë policia pa lejen e prokurorisë dhe e dyta nuk është kërkuar paraburgimi i tij nga prokuroria”, tha Kika.

S.O akuzohej se ka dhunuar Kujtimin edhe para datës 11 korrik, 2019, ditën kur u gjet i vrarë.

Sipas shkresave të rastit, S.O, akuzohej se ka dhunuar seksualisht Kujtimin edhe më 29 janar, 2019, për çka ishte denoncuar në polici nga babai i tij dhe nëna e viktimës.

Pavarësisht veprës së rëndë panel për të cilën dyshohej, S.O, intervistimi nga Policia e Kosovës, u krye vetëm pas 65 ditësh, më 4 prill, 2019.

Në këtë intervistë, S.O, kishte pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën.

Tek pas 65 ditësh, Policia e Kosovës, kërkoi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ekzaminim mjekoligjor të Kujtimit, por kjo e fundit, tha se s’kishte nevojë.

Edhe pse rasti u paraqit në polici më 29 janar, 2019, ky institucion parashtroi kallëzim penal në Prokurori Themelore të Prishtinës, vetëm më 12 prill, 2019.

Dështimi i Prokurorisë në trajtim efektiv të rastit

Përkundër faktit se S.O, kishte pranuar se ka dhunuar seksualisht Kujtimin, ndaj tij nuk u lëshua urdhërarrest e as nuk iu caktua masa e paraburgimit.

S.O, vazhdoi të lëvizte i lirë deri më 11 korrik, 2019, kur besohet se fillimisht dhunoi e më pas ia mori jetën Kujtimit, 11-vjeçar.

Para vrasjes, Prokuroria Themelore e Prishtinës, kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve, mirëpo i pezulloi ato më 26 qershor, 2019, pasi që i dyshuari, S.O, nuk ju kishte përgjigjur ftesës së prokurorisë.

I dyshuari ishte person i njohur për institucionet e rendit pasi kishte aktive 15 aktakuza për vepra të ndryshme penale.

Avokati i Popullit: Policia dhe Prokuroria nuk e mbrojtën Kujtimin

Në dhjetor të vitit 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit bëri një hetim “Ex-officio” për këtë rast.

Ky institucion kishte gjetur shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës.

Në veçanti, në raportin e Avokatit të Popullit të datës 6 dhjetor, 2019, u tha se zyrtarët policorë dhe prokuroria kishin dështuar që ta mbronin Kujtimin.

“Avokati i Popullit vërën se viktima ishte intervistuar shtatëdhjetë e dy ditë (72), pasi Policia e Kosovës ishte njoftuar se fëmija mund të jetë viktimë e abuzimit seksual”, thuhet në një nga gjetjet e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit bënë përgjegjës prokurorinë për neglizhencë të vazhdueshme të rastit pavarësisht se dinin rrezikun me të cilin përballej fëmija.

“Organet e hetuesisë kanë dështuar të jenë efektive në arrestimin dhe në ndalimin e të dyshuarit, vlerësimin e rastit, si dhe shqiptimin e masave ligjore për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale”, thuhet më tej në raportin e Avokatit të Popullit.

Ky institucion kërkoi një hetim të brendshëm lidhur më dështimin e prokurorisë për përmbushjen e detyrimeve pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë.

Krejt çfarë ndodhi ishte nisja e një hetimi për shkelje eventuale disiplinore.

Më datë 12 nëntor, 2019, Këshilli Prokurorial i Kosovës i Kosovës konstatoi se prokurori Ruhan Salihu kishte kryer shkelje disiplinore përmes veprimeve të tij në rastin vrasjes së Kujtim Veselit.

Por, dënimi ishte vetëm masë administrative.

“Zvogëlim i përkohshëm i pagës në 30 për qind për një periudhë kohore 6 muaj”, thuhet në vendimin e Këshillit Prokurorial për këtë rast.

Avokatja e familjes Veseli, Rina Kika, thotë se nuk mund të ketë drejtësi pa hetim penal ndaj personave përgjegjës në polici e prokurori.

“Hetimi disiplinor është administrativ. Përgjegjësia penale është një gjë tjetër. Ne po kërkojmë që të ketë hetim sepse janë dy vepra penale në Kodin Penal të Kosovës që ne po konsiderojmë se këta [Prokuroria] duhet ta shikojnë se a ka pasur përgjegjësi penale nga prokurorët apo zyrtarët e policisë”, thotë Kika.

Kika thotë se neglizhenca e policisë dhe prokurorisë përfshinë dy vepra penale si; shkelja e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës si dhe moskryerja e detyrës zyrtare.

“Është marramendëse sa provat i kanë pasur dhe se si kanë vendosur mos ta kryejnë detyrën zyrtare”, thotë Kika.

Policia s’gjeti shkelje nga zyrtarët e saj

Një hetim të brendshëm për rastin e vrasjes së Kujtimit e ka kryer edhe Policia e Kosovës.

Ky hetim u krye nga Drejtoria e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës ndaj dy zyrtarëve policorë.

Por, procedurat hetimore pushuan për shkak se nuk u gjetën shkelje disiplinore.

“Drejtoria e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës, ka iniciuar dhe hetuar dy zyrtarë policorë, me ç’rast me 24.03.2020, kanë pushuar procedurat për shkak se gjate hetimeve nuk janë gjetur elemente te shkeljeve disiplinore për dy zyrtarët e hetuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë organizatorëve të peticionit “Drejtësi për Kujtimin”, më 17 shtator, 2020.

‘U neglizhua vetëm pse ishte ashkali’

Gazmend Qyqalla një nga aktivistët kryesorë në kërkimin e drejtësisë për rastin e Kujtimit, thotë se rasti u neglizhua nga zyrtarët e institucioneve kosovare vetëm pse ai ishte i pjesëtar i një komuniteti joshumicë.

“Fatkeqësisht nga ajo që kemi parë deri me tash, ky neglizhim është vetëm për shkak të përkatësisë etnike”, thotë Qyqalla.

Protestë kundër vrasjes së të miturit në Fushë Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:35 0:00

Qyqalla thotë se për të pasur drejtësi, atëherë duhet ndjekje penale për çdo person që punon brenda institucioneve e që ka pasur përgjegjësi për këtë rast.

“Nëse dënohet vetëm, S.O dhe nuk dënohen pjesa tjetër përgjegjës, mendoj se nuk shkon drejtësia në vend për arsye se edhe ata janë bashkëfajtorë”, thotë Qyqalla.

Kërkohet kërkim-falje dhe dëmshpërblim

Është bërë një vit prej se një grupi i aktivistëve “Drejtësi për Kujtimin” kanë organizuar protesta e aktivitete kundër neglizhencës të cilën ata besojnë se kanë shfaqur institucionet në rastin e Kujtim Veselit.

Një peticion me më shumë se 1,200 nënshkrime u dorëzua në Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës dhe në qeveri.

Përmes peticionit, u kërkua nga Policia dhe Prokuroria kërkim-falje publike ndaj familjes së Kujtimit për shkeljen e të drejtës së tij në jetë dhe neglizhimin e rastit, nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit u kërkua inicimi i hetimeve të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin si dhe nga Qeveria e Kosovës u kërkua që të kompensojë për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim.

Sipas aktivistëve, deri më tani nuk është përmbushur asnjë nga kërkesat.

Përmes një letre, të datës 31 gusht, 2020, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, shprehi keqardhje për vdekjen tragjike të Kujtimit duke thënë se me ngritjen e aktakuzës ndaj S.O dhe marrjen e masave disiplinore ndaj prokurorëve nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), është bërë gjithçka që kërkohet nga ky institucion.

Por, rastin e vrasjes së Kujtimit, e ktheu në institucione politike, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, të enjten më 8 tetor, 2020.

“Vrasja e Kujtim Veselit është pasojë e dështimit të dyfishtë. Është dështim i bashkëndjesisë njerëzore si dhe është dështim i përgjegjësisë dhe profesionalizmit institucional”, tha Osmani në fjalën e saj.

Osmani tha se shoqëria kosovare ka dështuar që të luftojë sa duhet racizmin ndaj komuniteteve rom, ashkali, egjiptian.

Pak ditë para se të shpallet aktgjykimi për rastin, Radio Evropa e Lirë ka provuar të flasë më familjen e Kujtimit, mirëpo, avokatja mbrojtëse ka thënë se familja nuk do të deklarohet pasi që janë në pritje të vendimit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG