Ndërlidhjet

VMRO-ja dorëzon mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë


Udhëheqësi i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
Udhëheqësi i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, të hënën, më 8 nëntor dorëzoi në kuvend nismën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se kjo nismë ka mbështetjen e 61 deputetëve,

“Qeveria e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk solli asgjë të mirë për vendin, por vetëm e ka thelluar varfërinë. Kjo qeveri ka revoltuar qytetarët dhe kjo u dëshmuan edhe në zgjedhjet e fundit. Vazhdimi i kësaj qeverie nënkupton edhe më tej thellimin e të gjitha problemeve të lartpërmendura. Qytetarët meritojnë një jetë më të mirë. Koha është që ndarjet dhe konfliktet të ndërpriten, koha është për ndryshime. Kjo qeveri dëshmoi se funksion përmes konflikteve. Nuk janë kujdesur as për shtetin e as për qytetarët. Larguan vendin nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski.

Ai ka theksuar se nisma për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev është mbështetur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, Lëvizja Besa, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa dhe partia e Majta.

Por, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi Zejdi, ka thënë se nuk është pjesë e kësaj nisme, pasi në të bën pjesë edhe partia e Majta, parti e cila është deklaruar se është anti-perëndimore.

Për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, opozitës do t’i duhen 61 vota të deputetëve nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Zaev: Opozita po e dërgon vendin në humbje

Pas njoftimit të VMRO-së, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit, Zoran Zaev, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook, ka theksuar se mocioni është më shumë dëshirë e opozitës dhe se sipas tij, nuk përkon me realitetin.

“Për shkak të dëshirës për pushtet janë të gatshëm që shtetin ta dërgojnë në humbje, ndërsa populli të vuajë. Këto ditë jemi dëshmitarë të cenimit të Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, Marrëveshjes së Ohrit, shoqërisë së përbashkët dhe të barabartë, paqes së brendshme të qytetarëve dhe të raporteve të mira me fqinjët. Por, ky vend nuk ka popullin, qytetarët, demokratët, luftëtarët, politikanët dhe partitë e veta që nuk do të lejojnë që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski të kapin dhe të shkatërrojnë përsëri vendin”, ka shkruar Zaev.

Nga partia e Zaevit po ashtu kanë përsëritur qëndrimin se shumica parlamentare është stabile.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike thonë se numrat nuk janë në favor të asnjërës parti politike që të formojnë një qeveri stabile, andaj, sipas tyre, duhet të arrihet një marrëveshje mes faktorëve politikë që sa më shpejt të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Në vend të formimit të qeverive në tavolinë, partitë politike duhet që sa më parë të arrijnë marrëveshje për një datë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, me qëllim që t’i jepet një përgjigje e duhur kësaj situate nga ana e qytetarëve me votën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Neziri nga qendra për hulumtime, Scoop.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë bërë të ditur se udhëheqësi i tyre, Ali Ahmeti është autorizuar që të bisedojë me të gjitha palët, siç është theksuar, “të cilat kanë për orientim qasjen euro-atlantike, të cilat kanë për orientim vizionin evropian, por jo me parti të cilat kanë për prioritet filozofinë anti-NATO, anti-amerikane, anti-evropiane, anti-shqiptare”, duke aluduar në partinë e Majta të Dimitar Apasievit, me të cilin liderii opozitës maqedonase Hristijan Mickoski synon të krijojnë një shumicë të re parlamentare.

Qani Nuhiu nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë formë BDI-ja lë hapur derën e bashkëpunimit edhe me VMRO-DPMNE-në duke përjashtuar vetëm partinë e Majta, e cila apostrofohet si parti anti- perëndimore.

“Nëse partitë politike shqiptare që janë në opozitë vendosin kushte që mos të jenë me partinë e cila është deklaruar se është anti-NATO, anti-BE dhe se është për revizionin e Marrëveshjes së Prespës, atëherë hapet mundësia për futjen e Bashkimit Demokratik për Integrim në një koalicion pa Lidhjen Socialdemokrate të Zaevit, ose në një koalicion të zgjeruar ku do të përfshiheshin të gjitha partitë politike që është tjetër koncept. Po gjithnjë duke mbajtur llogari integrimin euroatlantik të shtetit, Marrëveshjen me Bullgarinë për zhbllokimin e integrimeve dhe stabilitetin e brendshëm politik”, thotë ai.

Këto zhvillime në Maqedoninë e Veriut vijnë pasi kryeministri, Zoran Zaev dha dorëheqje për shkak të humbjes së partisë së tij në zgjedhjet lokale të 31 tetorit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG