Ndërlidhjet

Disfata e Zaevit largon Shkupin nga marrëveshja me Bullgarinë


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Disfata e thellë e Lidhjes Social Demokrate (LSDM) në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut dhe dorëheqja e kryeministrit, Zoran Zaev, kanë përkeqësuar pozicionin e këtij shteti në raport me Bullgarinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Sofja, në nëntor të vitit të kaluar, ka bllokuar bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Brukselit me kërkesën për një marrëveshje me Shkupin për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe të kaluarën historike, ndërsa së fundmi edhe me kërkesën për njohjen me kushtetutë të pakicës bullgare.

Bullgaria tani e një vit po përballet me krizë politike pasi edhe pas dy palë zgjedhjeve të parakohshme nuk arriti të zgjedhë një qeveri të qëndrueshme. Zgjedhjet e radhës, përfshirë edhe ato për presidentin, do të mbahen më 14 nëntor, kur pritet të ketë një ndryshim të skenës politike, bazuar në raportet që vijnë nga Sofja lidhur me popullaritetin e partive politike.

Buçkovski: Dhjetori, shansi i fundit për marrëveshje

Dhjetori është shansi i fundit për këtë vit për Maqedoninë e Veriut, që të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, vlerëson Vllado Buçkovski, i dërguari special i Qeverisë për bisedime me Sofjen, duke shpresuar se në Bullgari mund të vijnë në pushtet partitë që kanë qëndrim më të matur në raport me kontestin.

Ai mendon se shpresë mund të ketë edhe nëse Zaevi mbetet në drejtimin e Qeverisë dhe nëse në vend nuk kthehen forcat të cilat, sipas tij, janë dëshmuar në të kaluarën për mungesë të gatishmërisë për kompromise.

“Nëse shpenzohet një politikan i tillë ballkanik me edukatë evropiane dhe nëse i japim hapësirë sërish rikthimit në rajon të nacionalizmave dhe përçarjeve dhe të mos shikojmë përpara, mendoj se do të kemi probleme më serioze sesa dorëheqja e Zaevit nga posti i kryeministri”, ka deklaruar Buçkovski.

Ai vlerëson se opozita duhet të ndihmojë në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe pret që kreu i opozitës të reflektojë se mbyllja e këtij kontesti është në të mirën e vendit dhe të qytetarëve të tij që besojnë në një të ardhme evropiane.

Kacarska: Qeveria, në pozicion jo të favorshëm për bisedime

Por, Simonida Kacarska nga Qendra për Politika Evropiane, thotë se ndryshimet në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, tani e komplikojnë gjendjen, në veçanti nëse formohet një shumicë e re parlamentare, siç paralajmëron VMRO-DPMNE, që fitoi zgjedhjet lokale.

“Pozicioni i Qeverisë në raport me bisedimet me Bullgarinë tani do të jetë shumë më i ndërlikuar, në veçanti për shkak të Zaevit që është në largim e sipër e që ishte udhëheqës, si të themi, i një politike pozitive në raport me Bullgarinë. Ne shpresonim në zhvillime pozitive, në veçanti pas një sqarimi që bënë zyrtarët bullgarë, të cilët para disa muajve tërë kontestin e bazonin në çështjen e identitetit dhe të kaluarës historike ndërsa tani së fundmi vetëm në atë që ka të bëjë me të drejtat e pakicës bullgare, por çështja tani ndërlikohet me zhvillimet politike këtu te ne”, thotë Kacarska.

A po ndryshon politika bullgare ndaj Shkupit?

Derisa Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet të zyrtarizojë dorëheqjen e kryeministrit Zaev, në Bullgari po zhvillohet fushata zgjedhore. Pas 14 nëntorit, bullgarët pritet të kenë një president dhe një qeveri të re. Për një marrëveshje të mundshme mes Shkupit dhe Sofjes, që do të zhbllokonte integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, mbetet edhe pak kohë.

Ajo duhet të arrihet deri në mesin e dhjetorit kur mbahet mbledhja e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme të BE-së.

Zyrtarët bullgarë, në vazhdimësi kanë shprehur qëndrime të ndryshme edhe pse në Parlament kanë miratuar një rezolutë për vijat e kuqe.

Presidenti Rumen Radev, i cili sipas sondazheve është favorit edhe për një mandat të ri, javën e kaluar priti përfaqësues të organizatave bullgare maqedonase ku paralajmëroi formulimin e një politike të re ndaj Maqedonisë së Veriut, respektivisht kërkesën që bullgarët të përfshihen në kushtetutën maqedonase, pa përmendur me këtë rast çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën.

Për dallim nga Radev, Ekaterina Zaharieva, ish-ministre e Punëve të Jashtme deri vitin e kaluar, duke shpjeguar pse vendosën veto, tha se duan që Shkupi të njohë të vërtetën historike, gjegjësisht rrënjët e gjuhës dhe kombit maqedonas dhe se ky vend nuk mund të anëtarësohet në BE nëse ende feston, siç e quajti ajo, diktatorin jugosllav Josip Broz Tito.

BE dhe SHBA kërkojnë zgjidhje të shpejtë

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë inkurajuar dy palët për arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje që do të zhbllokonte procesin e integrimit evropian, por në të njëjtën kohë kanë kërkuar që Shkupi të vazhdojë me zbatimin e reformave të lidhura me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, Zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, në një mbledhje të Nënkomisionit për Evropën dhe Euroazinë, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden është e përkushtuar ndaj Ballkanit.

“Mesazhi më i fortë që BE-ja mund të japë tani është planifikimi i fillimit të negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në përpara fundit të këtij viti. Vonesat në këtë proces do të dëmtonin shpresat e brezave të ardhshëm dhe do të krijonin hapësirë për ndikimin keqdashës së vendeve si Rusia dhe Kina”, ka deklaruar Escobar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG