Ndërlidhjet

VMRO-DPMNE thotë se e ka shumicën e re parlamentare


Lideri i partisë opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski.
Lideri i partisë opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO- DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka njoftuar të premten (5 nëntor) në mbrëmje se opozita ka siguruar shumicën e re parlamentare për formimin e qeverisë së re apo çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“E ardhmja e re po vjen, një kohë e re dhe një shpresë e re. Na presin sfida të forta, të vetëdijshëm dhe mirënjohës për mbështetjen, së bashku do t'ia dalim. Maqedonia do të ketë sukses! Kemi një shumicë të re parlamentare”, ka shkruar Mickoski në rrjetin social Facebook.

Ai njoftimin e ka publikuar të shoqëruar së bashku me një fotografi së bashku me drejtuesit e partive tjera opozitare, të Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Partisë “E Majta” dhe të Lëvizjes BESA, e cila deri të premten ishte pjesë e qeverisë aktuale.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari e ka konfirmuar për mediat lokale formimin e shumicës se re parlamentare, duke paralajmëruar se asaj do t'i bashkangjiten edhe deputetë tjerë.

VMRO-DPMNE gjatë ditës së premte njoftoi se kishte nisur me mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për të votuar mosbesimin e qeverisë.

Për mocionin e votëbesimit të qeverisë opozitës i nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Shumica aktuale parlamentare numëron 62 deputet, por me largimin e tre deputetëve të lëvizjes BESA, ajo e humb shumicën, që nënkupton edhe rrëzimin e qeverisë, në seancën kur do të votohej për qeverinë.

VMRO-DPMNE-ja arriti të sigurojë shumicës pas vendimit të lëvizjes BESA se nuk do të jetë pjesë e qeverisë me BDI-në e Ali Ahmetit.

Reagimi i saj erdhi pas një vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për përsëritjen e votimeve në një komunë që ishte fituar nga lëvizja BESA.

Kjo parti akuzoi se pas vendimit të KSHZ-së për përsëritjen e votimeve qëndronte BDI-ja.

Ndryshe, skena politike në Maqedoninë e Veriut po pëson ndryshime në qeverisjen e vendit pas disfatës së thellë të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) të kryeministrit Zoran Zaev, në zgjedhjet lokale.

Kjo parti humbi Shkupin dhe mbi gjysmën e 80 komunave gjë që çoi në paraqitjen e dorëheqjes së Zoran Zaevit nga posti i kryeministrit i kryetarit të LSDM-së.

Zaev, ende nuk e ka deponuar dorëheqjen në Kuvend dhe nuk dihet nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare apo presidenti do të caktoj mandatar të ri nga një shumicëe re parlamentare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG