Deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës pritet që të enjten, më 22 gusht, të marrin vendim për shpërndarjen e Kuvendit.
Seanca për t’i dhënë fund edhe kësaj përbërje të legjislaturës pa i skaduar mandati kushtetues, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Haradinaj, pati dhënë dorëheqje pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Deputetët, si ata në pushtet ashtu edhe në opozitë, konsiderojnë se pas qëndrimeve të partive politike se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk mund të pritet diçka tjetër në seancë përveç votimit për shpërndarjen e Kuvendit.
Si mund të shpërndahet Kuvendi i Kosovës?
Neni 82 i Kushtetutës së Kosovës përcakton mënyrat se si mund të vijë deri te shpërndarja e Kuvendit.
1. Kuvendi shpërndahet në këto raste:
(1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit
nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria;
(2) nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve,
shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës;
(3) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së
zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës.
2. Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të
suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, cili është edhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka shprehur besimin e tij se të enjten Kuvendi do të shpërndahet dhe vendi do të shkojë në një proces të ri zgjedhor.
"E mundur është gjithçka, por unë nuk kam ndonjë informacion që deputetët janë deklaruar kundër qëndrimeve që kanë kryetarët e partive të tyre dhe meqenëse është kështu, po besoj se të gjithë janë të vendosur për ta shkarkuar vetveten", tha Haliti për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se mënyra se si po shkohet në drejtim të shpërndarjes së Kuvendit, nëse shikohet nga aspekti kushtetues ka hapësirë për diskutim, pasi që sipas tij, në vendet demokratike nuk veprohet kështu.
"Në praktikat e vendeve demokratike është diçka që nuk aplikohen variantet e tilla, pa i hargjuar mundësitë e tjera kushtetuese që kanë institucionet. Sidoqoftë, ky është vullnet i kryetarëve të partive politike dhe i grupeve parlamentare", tha Haliti.
Ndërkaq, deputetja opozitare, Arberie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i thirrjes së seancës është shpërndarja e legjislaturës aktuale dhe kështu do të ndodhë.
"Duke pasur parasysh se të gjitha subjektet tashmë janë deklaruar se janë për shpërndarjes të Kuvendit dhe se janë deponuar nënshkrimet, ne presim dhe shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë skenar të paplanifikuar, edhe pse bazuar edhe në përvojat e kaluara, befasitë e momentit të fundit nuk janë krejtësisht të përjashtuara në Republikën e Kosovës. Megjithatë shpresojmë që nesër pa vonesë do të miratohet shpërndarja e Kuvendit dhe do t'i hapet rrugë zgjedhjeve të reja", tha Nagavci.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në fillim të muajit gusht kishte vendosur që Kuvendi të mblidhet më 22 gusht për të bërë shpërbërjen e Kuvendit.
Në Institutin Demokratik të Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, thonë se nga zhvillimet e deritanishme duket se votat do të jenë të sigurta për mocionin që ka të bëjë me shpërndarjen e Kuvendit.
Artan Murati nga ky Institut, tha për Radion Evropa e Lirë se sipas të gjitha gjasave duket se do të ketë një seancë që do të përmbyllet me votimin e përfundimit të punës së legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.
"Kuvendi do t'i arrijë ato dy të tretat e votave, siç janë të parapara me Kushtetutë dhe me rregullore të punës, që në praktikë i bie gjithsej 80 vota. Ne madje kemi parë që subjektet politike veç kanë filluar të finalizojnë koalicionet parazgjedhore dhe të përcaktojnë pak a shumë se nga sa individë do të kenë në listat zgjedhore nga subjektet e ndryshme politike dhe kësi soji po duket se jemi duke shkuar sigurt drejt zgjedhjeve", tha Murati.
Murati thekson se të gjitha mundësitë për tentimin e vazhdimit të mandatit qeverisës janë shuar dhe nuk ekzistojnë mundësi për ndonjë veprim ndryshe.
"Secili subjekt politik që do të bënte ndonjë veprim tjetër përtej shpërndarjes besoj se do t'i kushtonte shumë politikisht në rastet kur do të mbaheshin zgjedhjet. Kështu që nuk mendoj se subjektet tona politike janë kaq shkurtpamëse dhe mund të kenë qasje të tillë", tha Murati.
Monitoruesit e punës së Kuvendit të Kosovës kanë vlerësuar se legjislatura në largim në aspektin numerik ka qenë më mirë nëse krahasohet me legjislaturat e tjera, por siç thonë ata, nuk ka pasur përmbajtje si pasojë e mungesës së kuorumit dhe problemeve të tjera politike.
Ata thonë po ashtu se kjo legjislaturë nuk ka qenë serioze. Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, menjëherë pas shpërbërjes së Kuvendit, pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat nuk mund të mbahen më herët se 30 dhe jo më larg se 45 ditë nga dita e shpalljes së vendimit.
Analistët mendojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, do të mbahen në fund të shtatorit, apo në javën e parë të tetorit.
Zgjedhjet u bënë të domosdoshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës së Gjykatës Speciale në Hagë, si i dyshuar për krime lufte. Haradinaj është mbrojtur në Hagë në heshtje dhe ka vendosur të rikandidojë për votëbesimin e qytetarëve.