Ndërlidhjet

Shpërbërja, vendimi i fundit që e presin deputetët nga Kuvendi


Foto nga arkivi, Kuvendi i Kosovës
Foto nga arkivi, Kuvendi i Kosovës

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nuk po tregojnë vullnet që t’i përmbyllin me epilog projektligjet dhe pikat e papërfunduara në agjendën e këtij institucioni, duke pritur që vendimi i ardhshëm të jetë shpërbërja e Kuvendit dhe caktimi i datës së zgjedhjeve të reja.

Një situatë të tillë, sipas deputetëve, e imponon dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Andaj, sipas deklaratave të përfaqësuesve të partive që përfaqësohen në pushtet, tani pritjet janë se çfarë nisme do të ndërmarrë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nga gjendja e tanishme politike, Kuvendi duhet të mblidhet vetëm për të shpërbërë vetveten dhe se sipas tij, pas dorëheqjes së kryeministrit, nuk mund të ketë më as procedim të ligjeve të mbetura.

"Nuk ka më kushte që të vazhdohet më tutje dhe në bazë të vlerësimeve edhe të përfaqësuesve të partive politike, konsiderohet se tani Kuvendi është në fazën e fundit kur duhet të përgatitet për të shkuar në zgjedhje, prandaj gjasat janë që të caktohet data e zgjedhjeve dhe pastaj të krijohet Qeveria e re, Kuvendi i ri dhe të vazhdojë puna", tha Isufi.

Puna e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në periudhën e parë të këtij viti, sipas raporteve të publikuara nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e këtij institucioni, është e mangët dhe pa rezultate. Në rast të shpërbërjes, procedurë kjo që mund të pasojë dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës dhe rënien e Qeverisë, kjo përbërje e Kuvendit, mes tjerash, sipas organizatave që kanë monitoruar punën e Kuvendit, do të mbahej në mend për nivelin e ulët të monitorimit të zbatimit të ligjeve.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka përmendur mundësinë e vazhdimit të punës së Kuvendit, qoftë edhe për një seancë të vetme për përmbylljen e pikave në procedurë, duke u fokusuar vetëm në zgjedhjet e parakohshme. Sipas tij, partitë politike duhet të mblidhen në Kuvend për ta shpërbërë atë.

"Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, unë po e jap opsionin për faktin se është në interesin e çdo partie politike që të mos i mundojmë qytetarët përmes nocioneve të cilat shpesh herë janë spekulative, por të shkohet në zgjedhje", ka deklaruar Veseli.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar nga PSD, Dardan Sejdiu, tha për Radion Evropa e Lirë se as nuk ka mundësi e as kushte që të vazhdohet puna në Kuvendin e Kosovës. Edhe Sejdiu ka deklaruar se tani nevojitet vetëm caktimi i datës së zgjedhjeve.

"E kemi një situatë politike e cila pak a shumë është e qartë. Subjektet politike pas dorëheqjes së kryeministrit janë shprehur që duhet të ecin drejt zgjedhjeve dhe nuk besoj që ka ambient politik për të trajtuar ndonjë temë para zgjedhjeve”, tha ai.

“Kemi një ish-kryeministër, një Qeveri të dorëhequr dhe kemi të gjitha subjektet politike në Kuvend të cilat flasin për zgjedhje. Në këtë kontekst, në këso rrethana politike, do të ishte naive të mendohet që deputetët do të mund të vepronin përkundër këtyre deklarimeve. Pra, duhet të shkohet në zgjedhje sa më parë", tha Sejdiu.

Kuvendi i Kosovës, sipas rregullores së punës, në muajin gusht e ka të paraparë pushimin veror. Deputetët në vazhdimësi janë kritikuar për mosangazhim të duhur dhe mosrealizim të planeve të punës në bazë edhe të Rregullores së Kuvendit.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, por edhe organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e këtij institucioni, kanë deklaruar së fundmi se jo që nuk janë miratuar ligjet sipas dinamikës së paraparë, por edhe ato që janë miratuar, nuk po mbikëqyren nëse po zbatohen apo jo. Kurse partitë politike opozitare në Kuvendin e Kosovës konsiderojnë se mungesa e shumicës parlamentare dhe e legjitimitetit për të udhëhequr me institucione, e ka pamundësuar funksionimin normal të kësaj legjislature.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG