Ndërlidhjet

Varësia nga qymyri ua humb efektin veturave elektrike në Kosovë


Mbushja e baterive për veturat elektrike - Foto ilustruese.
Mbushja e baterive për veturat elektrike - Foto ilustruese.

Kosova është një prej vendeve që ka më së paku vetura elektrike në qarkullim.

Nga gjithsej 395,840 vetura të regjistruara, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, vetëm 74 janë 100 për qind elektrike, që nënkupton se kanë ndotjen zero ndaj ambientit.

Numri më i madh i veturave është i atyre që përdorin naftën për djegie - saktësisht, 329,403 të tilla.

Veturat me naftë janë ndotëse të mëdha të ajrit, sidomos në Kosovë, për shkak të vjetërsisë së tyre.

Veturat me benzinë, për nga numri, renditen në vend të dytë - gjithsej 57,581 të regjistruara në Kosovë.

Arsyet janë të shumta përse qytetarët e Kosovës dhe kompanitë e ndryshme nuk investojnë në vetura elektrike, me emetim zero të ndotjes.

Agan Hajdarhoxha, anëtar i grupit “Marakli t’kerreve”, thotë se në Kosovë nuk ka asnjë përkrahje sa i takon blerjes së veturave elektrike.

Ai thotë se nëse blen një veturë elektrike, nuk përfiton asnjë lirim në taksa, regjistrim apo ndonjë formë subvencionimi shtetëror.

“Në shtetet e Bashkimit Evropian, kur ti vendos ta blesh një veturë elektrike, shteti të stimulon, ta jep një përqindje sado të vogël, vetëm e vetëm që të stimulojë që ti ta blesh një veturë elektrike”, thotë Hajdarhoxha.

Ai kërkon që Qeveria e Kosovës të krijojë një program, përmes të cilit, blerësit e veturave elektrike stimulohen, qoftë përmes pagesës së një përqindjeje, mbulimit të sigurimit vjetor për një periudhë të shkurtër, apo duke iu siguruar parkingje pa pagesë atyre që investojnë në vetura elektrike.

Por, mbi të gjitha, sipas tij, duhet ndërtuar infrastruktua për t’i mbushur bateritë e veturave elektrike.

“Çështjen e mbushjes e kanë lënë në mëshirë të bizneseve private. Ne ende nuk e kemi një pikë mbushëse që është ndërtuar nga institucionet dhe kontrollohet nga shteti”, shton Hajdarhoxha.

Për vetura elektrike, as lehtësime e as subvencionime

Por, të gjitha këto nuk kanë qenë pengesë për kompaninë e sigurimit “Besa Security” që të investojë në blerje të veturave elektrike.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj kompanie, Granit Hasani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se aktualisht kanë në pronësi 16 vetura elektrike, me të cilat ata bëjnë patrullime gjatë 24 orëve, çdo ditë të javës.

“Kemi vendosur si kompani që të shkojmë me vetura 100 për qind elektrike dhe, deri më sot, ne i kemi 16 vetura 100 për qind elektrike, të cilat për momentin janë shumë funksionale për kompaninë tonë dhe po e kryejnë atë që ne e kemi menduar fillimisht”, tregon Hasani.

Investimi në vetura elektrike, sipas tij, kompanive mund t’iu kthehet në përftim brenda pak kohësh, pasi kështu ulin shpenzimet për derivate.

Mirëpo, ai thotë se aktualisht në Kosovë nuk ka infrastrukturë të shtrirë për mbushjen e këtij lloji të veturave.

“Ndonjë përkrahje nuk kemi pasur. Thjesht, për këto vetura janë paguar të gjitha taksat. Nuk ka pasur ndonjë subvencionim tjetër shtesë dhe realisht as infrastrukturë nuk ka pasur. Ne është dashur që të fillojmë vetë ta ndërtojmë edhe infrastrukturën”, thekson Hasani.

“Besa Security” e ka shtyrë përpara investimin në vetura elektrike edhe për faktin se është e certifikuar për standarde ndërkombëtare në menaxhimin e mjedisit.

Këtë vit, kjo kompani është certifikuar për standardin “ISO 14001”, që specifikon kërkesat për një sistem efektiv të menaxhimit mjedisor.

Veturat elektrike, varësisht nga brendi, mund të kushtojnë rreth 30 për qind më shtrenjtë sesa veturat me naftë, të cilat favorizohen në Kosovë.

Por, sipas studimeve të ndryshme, përfitimi nga to është afatgjatë.

Një studim i vitit 2018, i kryer nga Instituti i Kërkimeve të Transportit në Universitetin e Miçiganit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zbuloi se kostoja mesatare për të operuar një veturë elektrike në SHBA ishte 485 dollarë në vit, krahasuar me një automjet me benzinë, për të cilin duhej shpenzuar 1,117 dollarë në vit.

Aktualisht, në Kosovë janë disa pika ku qytetarët mund t’i mbushin veturat e tyre elektrike.

Në disa lokacione në Prishtinë, një bankë komerciale ka vendosur katër stacione, ku qytetarët mund t’i mbushin veturat pa pagesë.

Njëjtë kanë vepruar edhe disa pompa të derivateve në kryeqytet, ku qytetarët mund t’i mbushin bateritë e veturave të tyre.

Bazuar në çmimin aktual të energjisë elektrike në Kosovë, për të mbushur bateritë e një veture elektrike, gjë që kërkon rreth 13 orë në ditë, çmimi mund të arrijë deri në katër euro.

Varësisht nga brendi i veturës, pas rimbushjes së baterive, mund të kalohen nga 300 deri në 500 kilometra me të njëjtat bateri.

Thirrje për të ndërtuar infrastrukturë për veturat elektrike

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë se aktualisht në Kosovë, kërkesa për vetura elektrike është e ulët.

Ai i rekomandon Qeverisë që të punojë në drejtim të krijimit të infrastrukturës për këto vetura, si dhe uljes së taksave për qytetarët që blejnë vetura elektrike.

“Ne kemi propozuar që sa më e re të jetë vetura, aq më e vogël të jetë pagesa në doganë”, thotë Abazi, duke shtuar:

“Ka edhe stimuj të tjerë, siç është edhe heqja e TVSH-së për veturat elektrike, të cilat nuk krijojnë ndotje fare dhe janë të rëndësishme në tranzicionin energjetik”.

Abazi nënvizon se veturat elektrike janë element i rëndësishëm në fazën e tranzicionit energjetik, nëpër të cilin duhet të kalojë edhe Kosova.

Radio Evropa e Lirë ka provuar që të marrë një përgjigje nga Ministria e Ekonomisë, sa i takon mbështetjes së qytetarëve dhe bizneseve që investojnë në vetura elektrike.

REL po ashtu ka pyetur nëse promovimi i veturave elektrike do të jetë pjesë e Strategjisë së Energjisë, në të cilën Qeveria e Kosovës po punon aktualisht.

Por, deri në publikimin e këtij artikulli, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Vetura elektrike që mbushen me energji të prodhuar nga qymyri

Automjetet elektrike janë parë vazhdimisht si armë e rëndësishme për të mposhtur ngrohjen globale.

Por, sipas disa të dhënave të publikuara në nëntor të këtij viti nga organizata Radiant Energy Group (REG) në Britani, përdorimi i një veture elektrike në Kosovë nuk rezulton se i kontribuon shumë ruajtjes së ambientit.

Duke iu referuar termocentraleve si burimi kryesor i ndotjes në Kosovë, të dhënat e Radiant Energy Group thonë se mbushja e veturave elektrike nga energjia e gjeneruar nga termocentralet, prodhon më shumë ndotje sesa veturat tradicionale me naftë dhe benzinë.

Njëjtë si Kosova është edhe Polonia, e cila gjeneron rreth 80 për qind të energjisë elektrike nga termocentralet.

Por, për dallim prej Kosovës dhe Polonisë, në vendet e tjera të Evropës, për shkak të përpjekjeve për të mbrojtur ambientin, veturat elektrike janë duke u shndërruar në njërën nga kërkesat kryesore të konsumatorëve.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG