Ndërlidhjet

Sveçla: Do të kërkojmë ekstradimin e Radoiçiqit dhe jo vetëm


Sveçla: Mbi 80 terroristë të përfshirë në sulmin në Banjskë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:14:33 0:00

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

Më 24 shtator, grupe të armatosura në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Në intervistën dhënë REL-it, ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Sveçla flet edhe për përfshirjen e dyshuar ruse, si dhe për rreziqet e sigurisë që vazhdojnë t’i kanosen Kosovës.

"Vuçiq, Qeveria serbe të përfshirë"

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, Millan Radoiçiq ka pranuar sot [29 shtator] se ka organizuar sulmin në Banjskë. Si e komentoni këtë veprim të tijin dhe a mendoni se ka vepruar i vetëm në përgatitjen e sulmit, ashtu siç ka thënë?

Xhelal Sveçla: Absolutisht nuk është e vërtetë. Millan Radoiçiq e ka pranuar një fakt, pasi është dëshmuar pjesëmarrja e tij në këtë sulm terrorist. Por, të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga [presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka.

Ne e dimë shumë mirë se ai ka qenë jashtëzakonisht i afërt me Aleksandar Vuçiqin, i cili ka qenë ministër i propagandës në kohën e qeverisjes së Millosheviqit. Ai, edhe pse është president i Serbisë, vazhdon të jetë ministër i propagandës.

Tendenca e tyre tash është që ta minimizojnë presionin ndaj Serbisë, duke dashur që ta lokalizojnë fajtorin. Fajtori dihet, ai është Aleksandar Vuçiq dhe idetë e tij ekstremiste në raport me gjithë rajonin, jo vetëm me Kosovën.

Sasia dhe llojet e armatimeve që janë zënë më 24 shtator në Banjskë është e pamundur të mblidhen nga një individ, edhe nëse ai është jashtëzakonisht i fuqishëm, siç është Millan Radoiçiq. Ka armatim ushtarak, ka armatim të vitit të prodhimit më 2021, 2022 - gjë që tregon se nuk janë mbetje të luftës së viteve 1998/99, apo edhe më herët në Ballkan, por janë armatime të dala drejtpërdrejt nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Këtë e kemi dëshmuar, duke prezantuar dokumente, të cilat i kemi zënë, ku bëhet pranim-dorëzimi i këtij armatimi.

Po ashtu, nuk është rast i izoluar, meqenëse armatime të ngjashme, me seri prodhimi të përafërta, ne kemi zënë edhe më herët në Zveçan, më 23 qershor, pastaj edhe më 7 gusht dhe më 5 shtator - qoftë në Zveçan, qoftë në Mitrovicë të Veriut. Do të thotë, ka qenë një plan i mirorganizuar, detajisht i përpunuar, i cili iu ka dështuar falë vendosmërisë, gatishmërisë për sakrificë dhe profesionalizmit të policisë së Kosovës. Por, plani ka qenë shumë më i madh. Vuçiqi është i përfshirë. Është edhe Qeveria e Serbisë e përfshirë. Siç duket, edhe vetë Rusia është e përfshirë në këtë skenar.

Serbia "t'i tërheqë trupat nga kufiri" me Kosovën

Radio Evropa e Lirë: Cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Kosovës pas daljes së Radoiçiqit sot?

Xhelal Sveçla: Ne do të vazhdojmë ta hetojmë këtë sulm në detaje, t’i identifikojmë të gjithë terroristët që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ta hetojmë gjithë hierarkinë e dy organizatave që ne tashmë i kemi shpallur terroriste - Severna Brigada dhe Civilna Zashtita [Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile] - por edhe t’i dokumentojmë lidhjet e drejtpërdrejta me Qeverinë e Serbisë.

Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia - patjetër përmes partnerëve tanë - që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë.

Po ashtu, do të kërkojmë që të gjitha inkursionet apo agresionet e Serbisë të ndalen njëherë e përgjithmonë, përfshirë edhe tërheqjen e ushtrisë nga afërsia e kufirit tonë.

Mendojmë se ka rreziqe. Ne jemi vigjilentë. Po përgatitemi që të përballemi dhe t’i përgjigjemi suksesshëm çfarëdolloj sfide, duke qenë se kemi përvoja tashmë jashtëzakonisht të këqija, qoftë me Serbinë, qoftë me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë: A do të kërkoni ekstradimin e Radoiçiqit dhe përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në këtë mes, marrë parasysh që Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje ekstradimi?

Xhelal Sveçla: Po, patjetër. Të Radoiçiqit dhe jo vetëm, të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist.

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në informacionet që mund t’i ndani me ne - sa njerëz janë të përfshirë në hetimet që po bëni?

Numri i sulmuesve, “mbi 80”

Xhelal Sveçla: Në fillim është menduar se janë diku mes 30 dhe 40 terroristë. Tashmë mund të themi se numri është më i madh, gjë që dëshmon suksesin edhe më të madh të policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka qenë edhe në numër më të vogël, edhe me armatim më të dobët sesa ky grup terrorist, por ia ka dalë që pas humbjes së jetës së rreshterit Afrim Bunjaku, pas përfundimit të kësaj prite, të realizojë gjatë gjithë ditës një betejë të suksesshme - për të cilën po marrim përgëzime nga të gjithë aleatët tanë - dhe ta mundë këtë grup terrorist. Por, numri është i madh. Tash mund të themi se është mbi 80.

Radio Evropa e Lirë: A keni pasur ndonjë kontakt me Policinë e Serbisë ose me Agjencinë e Informacionit dhe Sigurisë atje, pas sulmit në Banjskë?

Xhelal Sveçla: Jo, nuk kemi pasur ndonjë kontakt. Ne mendojmë që ata janë të përfshirë drejtpërdrejt. Njëri ndër të vrarët është ish-truprojë e Aleksandar Vulinit, i cili është kreu i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi, i cili, në të njëjtën kohë, është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe. Do të thotë, jemi në një situatë paradoksale, kur ti realisht ke të bësh me figura, të cilat jo vetëm se janë kriminelë, por janë edhe të sanksionuar nga bota demokratike.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do ta hetojë vrasjen e policit kosovar, Afrim Bunjaku. Cili është komenti juaj?

Xhelal Sveçla: Po si do ta hetojë ai vrasjen kur shpalli tri ditë zie për vdekjen e terroristëve gjatë sulmit të tyre në një shtet sovran? Do të thotë, ky grup terrorist vrau policin në detyrë, në pritë. Nuk ishte Afrim Bunjaku... nuk ishte pjesë e betejës, ai u vra në pritë, në momentin e parë të arritjes së patrullës sonë policore për të hetuar lidhur me barrikadën që këta terroristë kishin vendosur... dhe ai politikisht po i mbron këta, shpalli ditë zie.

Nuk është duke i arrestuar terroristët, të cilët janë kthyer në Serbi. Prandaj, nuk i besoj kësaj qasjeje cinike të presidentit të Serbisë, kur thotë se ai do ta hetojë vdekjen e policit. Ai po mundohet që ta zbusë realisht këtë presionin që mund t’i vijë apo duhet t’i vijë nga bota demokratike.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe më herët që po hetoni përfshirjen e mundshme ruse. Çfarë provash keni mbledhur deri më tani?

Xhelal Sveçla: Po, ne në një nga veturat... janë 24 vetura të terrenit, të cilat janë zënë në këtë fshat të mbushura me municione dhe materiale. Në njërën nga këto vetura kemi gjetur materiale ruse, po ashtu janë dy motorë katër-rrotësh për terrene të vështira, prodhim i Rusisë, që i janë dhënë donacion ushtrisë së Serbisë. Ka edhe informata të inteligjencës për përfshirjen e elementeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: A e keni identitetin e ndonjë rusi të përfshirë, që dyshohet se është i përfshirë?

Xhelal Sveçla: Ne, në vazhdimësi, po punojmë në identifikimin e të gjithë këtyre terroristëve. Është fakt që disa prej tyre nuk kanë komunikuar me pjesëtarët tjerë të grupit dhe në asnjë moment nuk kanë hequr maskat nga koka e tyre. Kjo na bën shumë për të dyshuar në këta individë. Por, unë besoj që shumë shpejt, njësitë tona të specializuara të policisë së Kosovës, por edhe të agjencisë kosovare të inteligjencës, në bashkëpunim me aleatët tanë, do t’i identifikojnë edhe ata.

Radio Evropa e Lirë: Dyshoni se janë mercenarë apo hetimet janë në vazhdim...

Xhelal Sveçla: Unë, t’ju them të drejtën, nuk besoj shumë në mercenarë, në kuptimin e pagesave. Ky është projekt politik i Serbisë dhe Rusisë dhe ata shfrytëzojnë struktura të besuara të tyre. Do të thotë, ne jemi dëshmitarë se në Nish ka një qendër kinse humanitare ruse, e cila dihet botërisht se është qendër inteligjence, përmes së cilës ata përgjojnë të gjithë rajonin dhe në të cilën ka edhe ushtrime të ndryshme - qoftë për inteligjencë, qoftë për veprime në terren - dhe besojmë se edhe kjo qendër është e përfshirë në këtë sulm.

Çdo veprim agresiv ndaj Kosovës "do ta marrë përgjigjen e duhur"

Radio Evropa e Lirë: Përmendët më herët rrezikun për përshkallëzime të reja. Çfarë jeni duke bërë për t’i ulur kërcënimet e tilla?

Xhelal Sveçla: Po, patjetër se vërehen shenja të grumbullimit edhe të forcave ushtarake, por edhe të grupeve të ndryshme përreth kufirit të Kosovës. Ne, në vazhdimësi, jemi duke bashkëpunuar dhe duke u koordinuar me [misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë] EULEX-in dhe [misionin e NATO-s në Kosovë] KFOR-in, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë.

Po ashtu, jemi duke u konsoliduar si polici e Kosovës në mënyrë që çfarëdo veprimi agresiv ndaj Republikës së Kosovës, i çfarëdolloj përmase, ta marrë përgjigjen e duhur.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni vendimin e NATO-s për të shtuar praninë e forcave të KFOR-it në Kosovë?

Xhelal Sveçla: Ky është i mirëseardhur. Ne kemi kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit, përfaqësuesit e NATO-s. Ne, po ashtu, kemi kërkuar patrullime të përbashkëta të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ju e dini shumë mirë se kemi një vijë shumë të gjatë të kufirit që ndan këto dy vende. Po ashtu, terreni është goxha i vështirë, na duhet të kemi edhe pajisje të veçanta për të vëzhguar çfarëdolloj lëvizjeje rreth kufirit. Dhe ky mendoj se është lajm i mirë.

Radio Evropa e Lirë: Cili do të ishte një mesazh i juaji për qytetarët në veri të Kosovës?

Xhelal Sveçla: Qytetarët në veri të Kosovës, në vazhdimësi, marrin mesazhe pozitive nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Do të thotë, këta qytetarë janë shtetas të barabartë në vendin e tyre të Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës janë aty për t’iu shërbyer dhe për t’i mbrojtur ata. Kjo u dëshmua edhe më 24 shtator, kur ne kishim një betejë shumë intensive me terroristët, por, në asnjë moment, asnjë qytetar i yni civil as nuk është rrezikuar nga ne, as nuk është dëmtuar.

Për më shumë, nuk kemi ankesa nga këta qytetarë drejtuar sjelljes së zyrtarëve tanë policorë. Më lejoni t’ju përmend edhe një fakt: UNPD-ja ka bërë një vlerësim të besueshmërisë së qytetarëve ndaj policisë së Kosovës në atë zonë - në fakt, ka bërë më shumë se një - në kohën kur ne kishim policë të ish-strukturave paralele të integruar në policinë e Kosovës, do të thotë para dorëheqjes së tyre, para dorëheqjes së 547 policëve...

Besueshmëria në policinë e Kosovës në atë zonë ka qenë 15 për qind, për dallim prej pjesës tjetër të Kosovës. Tash është bërë edhe një matje, po ashtu nga UNDP-ja, dhe besueshmëria është rritur për 33.8 për qind.

Do të thotë, është më shumë se dyfishuar besueshmëria e qytetarëve në ato komuna veriore ndaj policisë së Kosovës. Unë jam i bindur që kjo besueshmëri do të rritet, për shkak se edhe bashkëpunimi me qytetarët atje është duke u rritur në vazhdimësi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG