Ndërlidhjet

Sveçla: Radoiçiq, në krye të kontrabandistëve që sulmojnë Policinë


Xhelal Sveçla, ministës i Punëve të Brendshme të Kosovës.
Xhelal Sveçla, ministës i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Ata që janë duke e sulmuar Policinë e Kosovës në veri të vendit, janë të njohur për organet e rendit si individë të kyçur në aktivitete ilegale, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, bëhet fjalë për disa grupe të kontrabandistëve, që janë të koordinuara ngushtë nga institucionet e Serbisë.

Serbia, thotë Sveçla, i shfrytëzon këto grupe për të minuar autoritetin e Kosovës në veri të vendit, ndërsa si shpërblim, shton ai, u jep mundësi për t’u pasuruar si dhe imunitet pa kufi.

Sveçla thotë se Millan Radoiçiq, i cili është në arrati nga organet e Kosovës për rastin "Brezovica", është njëri ndër krerët e këtyre strukturave. Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, parti kryesore e serbëve në Kosovë. Rasti "Brezovica" ka të bëjë me lëshimin e lejeve të kundërligjshme në kompleksin turistik në Brezovicë. Radioiçiq në këtë rast dyshohet për "frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurës penale".

Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar gjatë fundjavës në veri të vendit - për të disatën herë këtë vit - gjatë përpjekjeve për të parandaluar një kontrabandë mallrash.

Radio Evropa e Lirë: Ministër, ka ndodhur edhe një sulm tjetër ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri. A mund të na thoni se çka dihet deri më tani ?

Xhelal Sveçla: Po, është e qartë që kriminelë në veri janë të pakënaqur me gjendjen aktuale atje, duke qenë se niveli i sundimit të ligjit, është rritur jashtëzakonisht shumë në atë zonë, që për më shumë se 20 vjet është njohur si problematike për ligjin. Tendenca e tyre për të vazhduar me të njëjtat metoda, me të njëjtat qasje në raport me ligjin, patjetër që janë duke u luftuar në vazhdimësi nga strukturat e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Atë natë, Policia e Kosovës, në bazë edhe të informatave të pranuara nga inteligjenca, ka ngritur pikë kontrolli në një nga rrugët alternative që çojnë për te pikat kufitare ilegale. Dhe, me këtë rast, ka hasur në grup të organizuar kontrabandues dhe me reagimin e Policisë së Kosovës, ata kanë tentuar që t’i shmangen ndaljes dhe realisht e kanë sulmuar pikën e kontrollit të PK-së duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën e zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A keni informata, kush janë këta sulmues?

Xhelal Sveçla: Po, tashmë dihet. Dy prej tyre janë arrestuar. Fatkeqësisht, prokurorja kujdestare e Prokurorisë Themelore, atë natë e ka liruar njërin nga ta në procedurë të rregullt, çuditërisht. Por, njëri është në paraburgim. Janë persona të njohur për strukturat e sigurisë dhe tashmë ligji është duke u marrë me ta.

Radio Evropa e Lirë: Si çfarë persona janë të njohur për strukturat e policisë?

Xhelal Sveçla: Janë të njohur si individë të kyçur në aktivitete ilegale, herë duke kontrabanduar mallra, herë duke kundërshtuar pjesëtarët e Policisë, e herë duke u paraqitur si kriminelë ordinerë, e herë si struktura paralele, apo një shtyllë e strukturave paralele që merret me intimidimin [frikësim] sidomos të qytetarëve tanë në veri, posaçërisht ata të entitetit serb. Dhe, duke qenë se nuk është hera e parë që këta persona janë të kyçur në aktivitete kriminale, unë pres që strukturat e drejtësisë seriozisht të merren me ta.

Radio Evropa e Lirë: A keni informacione se deri në çfarë faze kanë arritur hetimet për këto raste të sulmeve?

Xhelal Sveçla: Sulmet është e qartë që janë të koordinuara me qëllim që të pamundësojnë shtrirjen e ligjshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës. Ne jemi duke hetuar në vazhdimësi, me të gjitha kapacitetet tona, për sulmet e mëhershme. Drejtoria kundër terrorizmit është duke udhëhequr hetimet dhe unë jam i bindur që jemi në rrugë të duhur që të gjithë strukturën e tyre jo vetëm ta identifikojmë, por edhe të dëshmojmë aktivitetet e tyre kriminale, me ç’ rast pastaj do të ndërmerreshin hapat e tjerë të radhës.

Radio Evropa e Lirë: Pse deri më tash nuk ka rezultate, s’ka një aktakuzë?

Xhelal Sveçla: Deri tash problemi i veriut është neglizhuar. Ky ka qenë vendim politik i strukturave të mëhershme, duke qenë se ka pasur edhe ide të ndryshme për shkëmbime territoriale apo deklarata se kinse ajo pjesë na është falur nga filan zyrtari i së kaluarës apo filan udhëheqësi i së kaluarës.

Tashmë ekziston vullnet i qartë i udhëheqjes së Republikës së Kosovës se rendi dhe ligji duhet të shtrihen në çdo cep të vendit tonë dhe rrjedhimisht kjo dhe ka bërë që të gjitha institucionet të mobilizohen në maksimum në mënyrë që rendi dhe ligji të sundojë edhe në atë pjesë sikurse në të gjitha pjesët e Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Ministër, a bëhet fjalë për një grup apo janë disa grupe?

Xhelal Sveçla: Realisht, kur vjen puna te grupet kontrabandiste, janë disa grupe të kontrabandistëve, por të gjitha të koordinuara ngushtë nga institucionet e Serbisë. Do të thotë, lidershpi i Serbisë në vazhdimësi ka shfrytëzuar grupet kriminale për të minuar Kosovën në atë pjesë, e si shpërblim ata u kanë dhënë edhe mundësi për t’u pasuruar, si dhe imunitet pa kufi këtyre individëve.

Radio Evropa e Lirë: A është në mesin e tyre dhe i përfoluri Millan Radoiçiq?

Xhelal Sveçla: Patjetër, Millan Radoiçiq është njëri ndër krerët e kësaj strukture. Tashmë ai është i arratisur, sipas informatave që kemi ndodhet në territorin e Serbisë, por definitivisht që është i kërkuar nga drejtësia në Kosovë, dhe në momentin e parë të mundshëm, ai do të vihet para drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Sveçla, ju thoni si Qeveria e ka të qartë atë çka do të bëjë në veri të Kosovës, sa i takon zbatimit të ligjit, por a po vepron njësoj edhe sistemi i drejtësisë?

Xhelal Sveçla: Fatkeqësisht, në këtë drejtim ka pasur ngecje të theksuar. Jemi dëshmitarë në të kaluarën, edhe vetë i përmenduri Millan Radoiçiq herë ka pasur fletë-arrest, e herë i është hequr pa kurrfarë shpjegimi apo pa kurrfarë baze ligjore.

Megjithatë, tash situata ka ndryshuar rrënjësisht. Ministria e Punëve të Brendshme, me të gjitha agjencitë e saj, me të gjithë mekanizmat e saj, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me të gjithë mekanizmat e tjerë qeveritarë, do të bëjë maksimumin që të gjitha këto dukuri të luftohen, të dokumentohen dhe pastaj ky maksimum i yni do t’i vërë në pozita jashtëzakonisht të palakmueshme të gjithë të tjerët, të cilët synojnë amortizimin, anashkalimin e krimeve dhe kriminelëve.

Ne jemi të vendosur që të gjitha krimet dhe kriminelët të luftohen pa kompromis, pa kurrfarë diskriminimi apo anashkalimi, qoftë në baza etnike, qoftë në baza politike, apo qoftë në bazë të statuseve shoqërore.

Do të thotë, nuk do të ketë asnjë anashkalim, i cili shkel ligjet e Kosovë dhe cenon sovranitetin dhe integritetin e vendit tonë.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të disa informacioneve brenda Policisë së Kosovës, policia në veri sulmohet gati çdo ditë. A mund të na konfirmoni këtë?

Xhelal Sveçla: Jo, nuk mund të themi se çdo ditë sulmohen pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një qasjeje, mos të them kështu të tipit të të fortëve sidomos në veri të Kosovës, duke qenë se janë mësuar që për vite e vite, e dekada të jenë mbi ligjin.

Tashmë ajo kohë ka përfunduar dhe të gjithë duhet të jenë të barbartë para ligjit, por edhe përgjegjës para ligjit dhe shkeljeve eventuale të tij.

Radio Evropa e Lirë: Si keni ardhur në përfundim se është rritur niveli i sundimit të ligjit në veri të Kosovës?

Xhelal Sveçla: Shikoni, niveli i kontrabandës në veri ka rënë dukshëm. Kjo është evidentuar edhe me nivelin e doganimeve, apo importeve të rregullta nga Serbia - kjo është e para.

E dyta, niveli zbatimit dhe luftimit të krimit dhe kriminelëve është rritur jashtëzakonisht shumë në veri.

E treta, vetë sikleti i këtyre strukturave, të cilat më herët kanë mundur të bëjnë pothuajse çfarë kanë dashur në atë zonë, tash është një tregues se kjo situatë ka ndryshuar për të mirë pakrahasueshëm dhe po e theksoj pakrahasueshëm me të kaluarën. Tash, a është niveli i sundimit të ligjit, sidomos në atë zonë në nivelet e kënaqshme për ne, ende jo. Ne jemi të mobilizuar që ligji të sundojë në maksimumin e tij në çdo cep të Republikës së Kosovës. Dhe, unë jam i bindur dhe u garantoj qytetarëve të Kosovës se kjo do të arrihet dhe nuk do të jetë larg dita kur nuk do të ketë kurrfarë dallimi ndërmjet komunave të Republikës së Kosovës, qoftë në jug të lumit Ibër apo në veri të lumit Ibër.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG