Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në repartin e Onkologjisë pediatrike në Prishtinë - ku trajtohen fëmijë të diagnostikuar me kancer - një gjashtëvjeçar u vizitua nga superheronj të shumtë.
Qysh në mëngjes, kur nëna e tij i kishte treguar se ata do të sjellin dhurata në këtë repart të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ai mezi e kishte pritur mesditën.
“Shumë u gëzua sepse, e do Spiderman-in [njeriun merimangë] shumë. Të gjitha lodrat i blen me të. Non-stop më ka pyetur se kur do të vijnë”, thotë Shqipe Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
E buzëqeshur - njësoj si djali i saj dhe superheronjtë - ajo tregon se trajtimi i gjashtëvjeçarit të prekur me tumor, është duke shkuar mirë.
“Shumë e vështirë ka qenë për mua në fillim, sepse ka qenë dy javë pa terapi derisa e kemi marrë vesh se çka ka. Normalisht që kur e kam parë në atë gjendje, ka qenë shumë e vështirë”, thotë nëna e dy fëmijëve.
Para katër vjetësh, Klubi Alpin Prishtina dhe organizata Care for Kosovo Kids organizuan për herë të parë këtë aktivitet. Çdo fundvit, alpinistë dhe vullnetarë lëshohen me litarë nga kati më i lartë i ndërtesës së Pediatrisë në QKUK dhe u shpërndajnë fëmijëve dhurata për festat e Vitit të Ri.
Për burrat e gratë e veshura në kostume të superheronjve, kjo ditë sjell çdo vit një ëmbëlsi të hidhur, siç thotë Berat Rexhepaj.
Ai tregon se gëzohet kur sheh buzëqeshjen e fëmijëve, por mërzitet kur kujton gjendjen e tyre shëndetësore.
“Është një ndjenjë e papërshkrueshme kur sheh forcën e jetës në sytë e tyre, çka luftojnë çdo ditë...”, thotë ai.
Për të, synimi është që, të paktën një herë në vit, ai të jetë një ndër arsyet përse këta fëmijë marrin “kurajë e buzëqeshje”.
Që nga fillimi i organizimit të këtij aktiviteti, më 2020, Dea Durmishi ka qenë pjesë e tij, e nxitur nga “dëshira për t’i parë fëmijët duke u gëzuar”.
“Është goxha prekëse dhe emocionuese duke e ditur gjendjen e tyre. Pastaj, e sheh se sa shumë kanë vullnet. Janë të mbyllur këtu, por janë plot jetë”, thotë Dea.
Ajo thotë se, ndër vite, ka krijuar një lidhje edhe më të veçantë me fëmijët, të cilët i ka parë dy apo tre vjet radhazi të shtrirë në reparte të ndryshme të Pediatrisë.
“Edhe pse janë dhurata modeste, ata kanë qejf të shohin menjëherë se çfarë kanë marrë. Duan t’i çelin, të bëjnë fotografi, të na tregojnë ndonjë gjë që u ka ndodhur apo ndonjë përrallë. Gjithë ai gëzim që e sheh te fëmijët, të përmbushë edhe ty si person”, shton Dea.
E njëjta arsye e ka shtyrë edhe Ariot Myrtajn - i cili ka rreth 95 mijë ndjekës në TikTok, ku publikon video duke provuar ushqime të ndryshme nëpër Kosovë - të marrë pjesë në këtë ngjarje.
“Kam ardhur këtu për ta dhënë njëfarë dashurie, për t’ua parë xixat në sy fëmijëve. Besoj që një dhuratë, një buzëqeshje u bën mirë edhe atyre, por edhe neve”, thotë Arioti.
Sapo u lëshua nga rreth 15 metra lart, Ariotin e prisnin disa fëmijë që ishin grumbulluar jashtë repartit të Pediatrisë në QKUK. Atë e njihnin edhe si personazh të rrjeteve sociale, por edhe kostumin e tij të superheroit Hulk.
“E kam imagjinuar këtë moment në mënyra të ndryshme. Disa fëmijë më njohën, bëra foto me ta. Oh, sa mirë ishte! Çfarë kënaqësie!”, shprehet Arioti.
Jashtë Pediatrisë, fëmijët e grumbulluar ishin me prindërit e tyre, pasi që e dinin se do të shpërndaheshin dhurata, ndërsa një grup fëmijësh kishte arritur në mënyrë të organizuar nga një çerdhe në Prishtinë.