Ndërlidhjet

Sulmohet një veturë e Policisë së Kosovës në Zveçan


Fotografi ilustruese nga një sulm ndaj një veture të Policisë së Kosovës në Zvecan, më 26 maj 2023.
Fotografi ilustruese nga një sulm ndaj një veture të Policisë së Kosovës në Zvecan, më 26 maj 2023.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një veturë e një njësie policore është sulmuar afër objektit komunal në Zveçan. Policia ka shtuar se “nuk raportohet për të lënduar” dhe se rasti është duke u hetuar.

“Njësia policore ka qenë duke patrulluar afër objektit të komunës në Zveçan, nga një grup i personave të dyshuar është sulmuar me mjete të forta gurë dhe me këtë rast kanë dëmtuar automjetin zyrtar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan ka raportuar se gjatë orës së fundit është vërejtur tensionim i situatës në këtë qytet. Në një moment, protestuesit raportohet se e kanë kundërshtuar kalimin e një veture të Policisë së Kosovës.

Një grup i serbëve lokalë është grumbulluar para objektit komunal qysh prej mëngjesit. Por, për shkak të shiut të madh, së fundi protestuesit janë larguar nga rruga, edhe pse protesta nuk është shpallur e përfunduar.

Situata më e tensionuar ishte në Zveçan ishte edhe para dy ditësh, kur rreth 30 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar pas përleshjeve të dhunshme.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut - të gjithë shqiptarë - u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG