Koronavirusi - një pikë e nxehtë e zgjedhjeve në SHBA
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara zhvillohen në kohën e pandemisë së koronavirusit.
Vetë presidenti Donald Trump, i cili garon për mandatin e dytë, ka qenë i infektuar, por është shëruar.
Trump ka thënë se pandemia është drejt fundit, por sfiduesi i tij, Joe Biden, ka thënë se ajo po përkeqësohet dhe e ka akuzuar Trumpin për mungesë të strategjisë.
FBI heton telefonatat që u kërkojnë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi
FBI ka nisur një hetim pas raporteve për thirrje të automatizuara telefonike, që u kërkojnë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, në ditën e zgjedhjeve në SHBA.
Një zyrtar i lartë i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike i përshkroi thirrjet, të cilat janë raportuar në një numër shtetesh, si “kërcënim për votuesit” dhe “taktikë për shtypjen” e tyre.
Megjithatë, ai tha se incidente të ngjashme ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara.
Në Nju Jork, prokurorja e përgjithshme, Letitia James, tha se zyra e saj është duke hetuar “në mënyrë aktive” raportet për telefonatat që u bëhen banorëve.
“Votimi është një gur themeli i demokracinë sonë”, tha James.
“Përpjekjet për t’i penguar votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, janë zhgënjyese, shqetësuese dhe të gabuara. Për më tepër, janë të paligjshme dhe nuk do të tolerohen”, tha ajo.
Dana Nessel, prokurore e përgjithshme e Miçigenit, tha se ka pranuar raporte për telefonata që u bëhen banorëve në qytetin e Flintit, me kërkesën për të votuar të mërkurën, për shkak të radhëve të gjata.
“Padyshim që ky është mashtrim dhe përpjekje për të shtypur votën”, tha Nessel.
Qytetarët amerikanë janë duke votuar sot në zgjedhjet presidenciale.
Në garë për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë presidenti aktual, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden.
Fuqitë (dhe kufijtë) e presidentit amerikan
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në SHBA do të ketë një ndikim të madh në politikën e brendshme dhe të jashtme amerikane. Por, kjo nuk do të thotë se fituesi e ka gjithë fuqinë për t’i vënë në veprim planet e tij.
Twitter pezullon disa llogari në ditën e zgjedhjeve në SHBA
Twitter tha se ka pezulluar disa llogari të krijuara së voni, të cilat kanë shkelur politikat e këtij rrjeti social, në lidhje me publikimin e lajmeve për zgjedhjet në SHBA.
Twitter tha se llogaritë në fjalë kanë shpërndarë përmbajtje identike, ndërsa janë shfaqur si të pavarura.
Një nga llogaritë e pezulluara, SVNewsAlerts, ka pasur mbi 69,000 ndjekës.
Llogaria ka paralajmëruar shpesh trazira në lidhje me zgjedhjet, si dhe ka nxjerrë në pah çështje në lidhje me sigurinë dhe besueshmërinë e votimit.
Llogaritë e tjera të pezulluara nga Twitter përfshijnë: FJNewsReporter, Crisis_Intel dhe Faytuks.
Në prag të ditës së zgjedhjeve, Twitter ka njoftuar se do të vendosë etiketime në postime të caktuara, të tilla si: “Burimet zyrtare e kanë shpallur këtë fitore ndryshe”.
Twitter po ashtu ka thënë se, për rezultatin përfundimtar, do të marrë parasysh zyrtarët zgjedhorë dhe mediat kombëtare, si: ABC News, Associated Press, CNN dhe Fox News.