Ndërlidhjet

Uashington
Uashington

Në pritje të rezultateve nga shtetet kyçe

  • Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 3 nëntor, janë mbajtur zgjedhjet presidenciale.
  • Sistemi politik amerikan dominohet nga dy parti, andaj presidenti gjithmonë i përket njërës prej tyre.
  • Republikanët janë parti politike konservatore dhe kandidati i tyre në zgjedhjet e këtij viti është presidenti Donald Trump, i cili shpreson t’i sigurojë edhe katër vjet në pushtet.
  • Demokratët janë parti politike liberale dhe kandidat i tyre është Joe Biden, një politikan me përvojë, më i njohur për shërbimin e tij si zëvendëspresident në administratën e Barack Obamës.
  • Të dy kandidatët, në të 70-tat e tyre, garojnë për të fituar votat e Kolegjit Zgjedhor.
  • Secili shtet ka një numër të caktuar të votave të Kolegjit Zgjedhor, bazuar në popullsinë e tij.
  • Kolegji Zgjedhor ka gjithsej 538 vota dhe fitues i zgjedhjeve është kandidati që siguron 270 ose më shumë prej tyre. Fituesin nuk e përcakton vota e popullit.
  • Zgjedhjet në SHBA mbahen çdo katër vjet në të martën e parë të nëntorit dhe të drejtë vote ka secili shtetas amerikan mbi 18 vjeç.
  • Rezultati mund të dihet në natën e zgjedhjeve, por mund të marrë edhe ditë ose javë.
  • Presidenti i ri betohet zyrtarisht më 20 janar në një ceremoni që njihet si inaugurim.
00:36 4.11.2020

Pjesëmarrja në zgjedhje pritet të jetë më e larta qysh në vitet 1950

Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale në SHBA pritet të jetë rekorde.

Votuesit amerikanë janë duke zgjedhur midis Donald Trumpit, republikan, dhe Joe Bidenit, demokrat.

Mbi 100 milionë vetë kanë votuar me postë ose në vendvotimet që janë hapur para 3 nëntorit.

Michael McDonald, profesor në Universitetin e Floridës, i cili udhëheq Projektin Zgjedhor të SHBA-së, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pret që pjesëmarrja të jetë 67 për qind - më e larta qysh në vitet 1950.

McDonald ka thënë se do ta konsiderojë rezultatin në Florida si një “shenjë shumë të mirë” se si do të zhvillohen zgjedhjet.

Florida i ka 29 vota elektorale.

Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota elektorale.

Numri i këtyre votave është i ndarë nëpër shtete varësisht madhësisë dhe numrit të banorëve që kanë.

Ka gjasa që rezultatin përfundimtar ta vendosin një numër shtetesh - në mesin e tyre: Arizona, Ajoa, Xhorxhia, Florida, Miçigeni, Karolina e Veriut, Pensilvania, Teksasi dhe Uiskonsini.

Çikago, SHBA
Çikago, SHBA

00:48 4.11.2020

Nis mbyllja e disa vendvotimeve në SHBA

Dy shtetet e para amerikane, ku ka nisur mbyllja e vendvotimeve për zgjedhjet presidenciale, janë Indiana dhe Kentaki.

Indiana, prej nga vjen zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence, është shteti i parë federal që i ka mbyllur vendvotimet në disa prej rretheve.

Indiana ka 11 vota elektorale, ndërsa Kentaki tetë.

Për të fituar zgjedhjet, njëri nga kandidatët – Donald Trump ose Joe Biden – duhet të sigurojë 270 vota elektorale.

01:04 4.11.2020

AP: Trump fiton në Kentaki, Biden në Vermont

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka fituar në shtetin e Kentakit, raporton AP.

Sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, ka fituar në Vermont.

Në Kentaki, Trump fiton tetë vota elektorale, ndërsa Biden në Vermont fiton tri vota elektorale.

Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota të tilla.

01:24 4.11.2020

Trump: Qëndrojmë shumë mirë

“Qëndrojmë shumë mirë në të gjithë vendin”, tha në një postim në Twitter presidenti amerikan, Donald Trump.

Trump është duke garuar në zgjedhjet presidenciale për mandatin e dytë, kundrejt sfiduesit të tij demokrat, Joe Biden.

Votimet në disa pjesë të SHBA-së janë duke vazhduar ende, ndërsa në disa shtete janë mbyllur.

Sipas agjencisë së lajmeve AP, Trump ka fituar tashmë Kentakin, ndërsa Biden Vermontin.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG