Ndërlidhjet

Uashington
Uashington

Në pritje të rezultateve nga shtetet kyçe

  • Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 3 nëntor, janë mbajtur zgjedhjet presidenciale.
  • Sistemi politik amerikan dominohet nga dy parti, andaj presidenti gjithmonë i përket njërës prej tyre.
  • Republikanët janë parti politike konservatore dhe kandidati i tyre në zgjedhjet e këtij viti është presidenti Donald Trump, i cili shpreson t’i sigurojë edhe katër vjet në pushtet.
  • Demokratët janë parti politike liberale dhe kandidat i tyre është Joe Biden, një politikan me përvojë, më i njohur për shërbimin e tij si zëvendëspresident në administratën e Barack Obamës.
  • Të dy kandidatët, në të 70-tat e tyre, garojnë për të fituar votat e Kolegjit Zgjedhor.
  • Secili shtet ka një numër të caktuar të votave të Kolegjit Zgjedhor, bazuar në popullsinë e tij.
  • Kolegji Zgjedhor ka gjithsej 538 vota dhe fitues i zgjedhjeve është kandidati që siguron 270 ose më shumë prej tyre. Fituesin nuk e përcakton vota e popullit.
  • Zgjedhjet në SHBA mbahen çdo katër vjet në të martën e parë të nëntorit dhe të drejtë vote ka secili shtetas amerikan mbi 18 vjeç.
  • Rezultati mund të dihet në natën e zgjedhjeve, por mund të marrë edhe ditë ose javë.
  • Presidenti i ri betohet zyrtarisht më 20 janar në një ceremoni që njihet si inaugurim.
21:28 4.11.2020

Të dashur lexues, këtu e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Informacionet në vazhdim mund t’i gjeni në rubrikën e lajmeve. Faleminderit që na ndiqni!

20:53 4.11.2020

Tabela e rezultateve

Pas njoftimit se kandidati demokrat, Joe Biden, ka fituar shtetin e Uiskonsinit, kështu duket tabela e rezultateve:

20:25 4.11.2020

AP: Biden fiton në Uiskonsin

Agjencia e lajmeve AP raporton se kandidati demokrat, Joe Biden, ka fituar shtetin e Uiskonsinit.

Uiskonsini i siguron atij dhjetë vota elektorale.

Më herët, fushata e presidentit Donald Trump ka paralajmërrar se do të kërkojë rinumërim të votave në Uiskonsin, duke thënë se ka “dyshime serioze në lidhje me vlefshmërinë e rezultateve”.

Me fitoren në Uiskonsin, sipas AP-së, Biden ka 248 vota elektorale, kundrejt Trumpit me 214.

Një kandidati i duhen 270 vota të tilla për t’u bërë president.

20:00 4.11.2020

Rezultati në shtetet kyçe deri në orën 19:35:

Arizona (11 vota elektorale)

Biden 51.0%, Trump 47.6%

Edhe pse garë e ngushtë këtë vit, Arizona ka votuar për kandidatin republikan në çdo zgjedhje presidenciale - përveç vitit 1996 - që nga viti 1952. Donald Trump ka fituar me rreth 4 për qind në vitin 2016.

Xhorxhia (16 vota elektorale)

Trump 50.2%, Biden 48.5%

Xhorxhia ka votuar për kandidatin republikan në nëntë nga dhjetë zgjedhjet e kaluara presidenciale. Donald Trump ka fituar me rreth 5 për qind në vitin 2016.

Miçigen (16 vota elektorale)

Biden 49.7%, Trump 48.8%

Miçigeni ka votuar për kandidatin demokrat qysh në vitin 1992, derisa Donald Trump ua ka kthyer republikanëve atë, më 2016. Trump e ka fituar para katër vjetësh me 0.2 për qind.

Nevada (6 vota elektorale)

Biden 49.3%, Trump 48.7%

Nevada është shtet i lëkundur prej kohësh. Ajo ka votuar për fituesin e zgjedhjeve, përveç në dy raste, qysh në vitin 1912. Një nga këto raste ka qenë më 2016, kur kandidatja që i ka humbur zgjedhjet, Hillary Clinton, e ka fituar Nevadën me 2 për qind.

Pensilvania (20 vota elektorale)

Trump 53.4%, Biden 45.4%

Pensilvania ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1992, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.7 për qind.

Uiskonsin (10 vota elektorale)

Biden 49.6%, Trump 48.9%

Uiskonsini ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1988, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.8 për qind.

Burimi: https://www.270towin.com/2020-election-results-live/

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG