Ndërlidhjet

Uashington
Uashington

Në pritje të rezultateve nga shtetet kyçe

  • Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 3 nëntor, janë mbajtur zgjedhjet presidenciale.
  • Sistemi politik amerikan dominohet nga dy parti, andaj presidenti gjithmonë i përket njërës prej tyre.
  • Republikanët janë parti politike konservatore dhe kandidati i tyre në zgjedhjet e këtij viti është presidenti Donald Trump, i cili shpreson t’i sigurojë edhe katër vjet në pushtet.
  • Demokratët janë parti politike liberale dhe kandidat i tyre është Joe Biden, një politikan me përvojë, më i njohur për shërbimin e tij si zëvendëspresident në administratën e Barack Obamës.
  • Të dy kandidatët, në të 70-tat e tyre, garojnë për të fituar votat e Kolegjit Zgjedhor.
  • Secili shtet ka një numër të caktuar të votave të Kolegjit Zgjedhor, bazuar në popullsinë e tij.
  • Kolegji Zgjedhor ka gjithsej 538 vota dhe fitues i zgjedhjeve është kandidati që siguron 270 ose më shumë prej tyre. Fituesin nuk e përcakton vota e popullit.
  • Zgjedhjet në SHBA mbahen çdo katër vjet në të martën e parë të nëntorit dhe të drejtë vote ka secili shtetas amerikan mbi 18 vjeç.
  • Rezultati mund të dihet në natën e zgjedhjeve, por mund të marrë edhe ditë ose javë.
  • Presidenti i ri betohet zyrtarisht më 20 janar në një ceremoni që njihet si inaugurim.
22:20 3.11.2020

Biden: Nëse zgjidhem, do të jem president i të gjithëve

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, premtoi se do të jetë president i të gjithëve nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Ju premtoj, edhe pse garoj si demokrat krenar, nëse më zgjidhni mua, unë do të jem një president amerikan. Nuk do të ketë shtete të kuqe, ose të kaltra, vetëm Shtete të Bashkuara të Amerikës”, tha Biden.

Ai i bëri komentet para mbështetësve të tij në Filadelfia të Pensilvanisë, nga ku edhe e ka origjinën.

Joe Biden dhe mbështetës të tij në Filadelfia të Pensilvanisë.
Joe Biden dhe mbështetës të tij në Filadelfia të Pensilvanisë.

Qytetarët amerikanë janë duke votuar sot në zgjedhjet për president.

Presidenti aktual, Donald Trump, i cili garon për mandatin e dytë, tha më herët se fushata e tij ka parë “ndryshime të jashtëzakonshme gjatë javës së fundit”, të cilat sinjalizojnë rizgjedhjen e tij.

Por, Trump po ashtu pranoi se mund të humbasë, duke thënë:

“Mendoj se do të kemi një natë të mrekullueshme, por është politikë, janë zgjedhje dhe nuk e dini kurrë”.

22:04 3.11.2020

Kur mund ta dimë rezultatin?

Mund të duhen disa ditë për numërimin e votave, por zakonisht është e qartë se kush është fitues në orët e para të ditës që i pason zgjedhjet.

Këtë herë, zyrtarët dhe analistët kanë paralajmëruar se mund të duhen ditë, e ndoshta edhe javë për rezultatin, për shkak të numrit të madh të votave me postë.

Mbi 100 milionë amerikanë kanë votuar me postë, ose në vendvotime që janë hapur më herët.

“Asnjëherë në historinë e këtij qyteti nuk ka pasur kaq shumë votues që kanë votuar me postë”, ka thënë Jim Kenney, kryebashkiak i Filadelfias, qytetit më të madh të Pensilvanisë.

Shtetet kanë rregulla të ndryshme për mënyrën ose kohën kur i numërojnë votat me postë.

Hera e fundit kur rezultati nuk ka qenë i qartë brenda pak orësh, ka qenë në vitin 2000, kur fituesi i zgjedhjeve, George W. Bush, nuk është konfirmuar derisa Gjykata Supreme ka marrë vendim, një muaj më vonë.

21:36 3.11.2020

Cilat shtete janë në fokus?

Votuesit amerikanë, në zgjedhjet presidenciale, votojnë në 50 shtete dhe në Qarkun e Kolumbisë.

Disa shtete votojnë historikisht për një parti të veçantë - për shembull, Kalifornia për demokratët ose Teksasi dhe Alaska për republikanët.

Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se rezultati i tillë do të jetë edhe në këto zgjedhje.

Në këto zgjedhje, pasiguri pritet të ketë në: Arizonë, Floridë, Xhorxhia, Miçigen, Minesotë, Karolinë të Veriut, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Vëmendje e madhe i kushtohet Floridës, shtet me 29 vota elektorale, që është fituar nga Trump në zgjedhjet e vitit 2016.

Pensilvania, e cila gjithashtu ka votuar për Trumpin në zgjedhjet e 2016-ës, ka 20 vota elektorale. Sipas një analize të agjencisë AP, Biden, i cili është me origjinë nga ky shtet, ka një avantazh të vogël, por të tjerët pretendojnë se pozicioni i Trumpit mbetet i fortë. Të dy kandidatët i kanë kaluar ditët e fundit të fushatës në Pensilvani, me shpresën për të tërhequr sa më shumë votues të pavendosur.

Xhorxhia, shtet që nuk ka votuar për kandidat demokrat që nga vitet 1990, po përjeton një ndryshim në popullsi, shkruan AP.

Miçigeni, me 16 vota elektorale, është konsideruar prej kohësh si fortesë e demokratëve, por Trump po ashtu ka fituar vota atje, në zgjedhjet e mëparshme.

Arizona, me 11 vota elektorale, ka një histori të gjatë të votimit për republikanët, gjë që është treguar e vërtetë edhe në zgjedhjet e mëparshme. Por, sipas AP-së, kjo tani nuk mund të thuhet me siguri, marrë parasysh rritjen e popullsisë latine.

Uiskonsini, ku Trump ka fituar në vitin 2016, ka dhjetë vota elektorale. Siç parashikon AP, Trump, për të fituar këtë vit, duhet të ketë sukses të mirë në zonat urbane.

Rezultatin e zgjedhjeve mund ta përcillni drejtpërdrejt edhe në hartën tonë.

21:16 3.11.2020

Premtime krejt të ndryshme për çështjet e brendshme

Presidenti Donald Trump ka premtuar rimëkëmbje të shpejtë ekonomike, mbështetje për rendin dhe ligjin dhe qëndrim të fortë ndaj imigrimit të paligjshëm.

Sfiduesi i tij, Joe Biden, ka bërë fushatë duke premtuar kujdes të zgjeruar shëndetësor dhe investime në energji të pastër dhe infrastrukturë.

Trump dhe Biden: Premtime krejt të ndryshme për çështjet e brendshme
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:24 0:00

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG