Trump: Do ta shpall fitoren vetëm kur të ketë fitore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se fushata e tij ka parë “ndryshime të jashtëzakonshme gjatë javës së fundit”, të cilat sinjalizojnë rizgjedhjen e tij president.
Trump foli për Fox News, në ditën kur qytetarët amerikanë zgjedhin presidentin.
Në garë për Shtëpinë e Bardhë janë: Trump, nga Partia Republikane, dhe Joe Biden, nga Partia Demokratike.
I pyetur për shpalljen e fitores, Trump tha se do ta shpallë atë “vetëm kur të ketë fitore”.
“Nuk ka nevojë për të luajtur lojëra”, tha Trump.
Gjatë një vizite më vonë në zyrat e Komitetit Kombëtar Republikan në Arlington të Virxhinias, Trump po ashtu pranoi se mund të humbasë në zgjedhje.
“Mendoj se do të kemi një natë të mrekullueshme, por është politikë, janë zgjedhje dhe nuk e dini kurrë”, tha Trump.
Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota të Kolegjit Zgjedhor, të cilat nuk përcaktohen nga vota e popullit, por nga shtetet që i fitojnë.
Votuesit amerikanë zgjedhin midis Trumpit dhe Bidenit
Qytetarët amerikanë janë duke votuar në zgjedhjet presidenciale, që konsiderohen si më të rëndësishmet në disa dekada.
Gara zhvillohet midis dy kandidatëve krejt të ndryshëm dhe në kohën e pandemisë së koronavirusit, e cila ka qenë e dukshme gjatë gjithë fushatës.
Presidenti Donald Trump, republikan, garon për mandatin e dytë, kundrejt demokratit Joe Biden.
Shumica e vendvotimeve janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale.
Mbi 100 milionë amerikanë kanë votuar tashmë me postë, ose në vendvotime që janë hapur më herët, kryesisht për shkak të situatës epidemiologjike.
Shkalla e lartë e votimit të parakohshëm tregon se në zgjedhjet e këtij viti, pjesëmarrja mund të jetë shumë më e lartë se në vitin 2016, kur ka qenë 55 për qind.
Sondazhet e opinionit e kanë nxjerrë vazhdimisht Bidenin në epërsi, në shkallë vendi.
Por, avantazhi i tij ka qenë më i vogël në shtetet e lëkundura, ku dy partitë kanë nivele të ngjashme të mbështetjes në mesin e votuesve.
Të dashur lexues, këtu e nisim mbulimin e drejtpërdrejtë të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Faleminderit që na ndiqni!