Përderisa shumë vende të botës po administrojnë vaksinat kundër koronavirusit të ri, jo të gjitha grupet shoqërore mund ta marrin atë.
Për gratë shtatzëna dhe ato gjidhënëse, marrja e vaksinës do të varet nëse shtetet ku ato jetojnë do ta lejojnë apo ndalojnë një gjë të tillë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, rregullatorët shëndetësorë kanë vendosur, që për shkak të mungesës së të dhënave mbi efektet e vaksinës ndaj grave shtatzëna, ato nuk do ta marrin atë. Ndërkaq, në Shtetet e Bashkuara, Administrata për Ushqim dhe Barna, ka thënë se janë gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse që do të vendosin nëse duan ta marrin apo jo vaksinën.
Në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëri të Bashkuar, shtetet e Bashkimit Evropian dhe në vende të tjera të botës, ka nisur administrimi i vaksinës kundër koronavirusit, të krijuar nga Pfizer dhe BioNTech, kompani të cilat, gjatë fazave testuese, nuk kanë përfshirë gratë shtatzëna dhe gjidhënëse në studimet e tyre.
Ndërkaq, Agjencia Evropiane e Barnave, tha se administrimi i vaksinës së Pfizer/BioNTech ndaj grave shtatzëna, duhet të shqyrtohet për secilin rast veç e veç. Megjithatë, kjo agjenci tha se mund ta ndryshojë rekomandimin për vaksinat ndaj grave shtatzëna, nëse ka të dhëna të reja.
Doktoresha Ruth Faden nga Universiteti Jons Hopkins thotë se “nuk ka të dhëna”, nëse vaksina është e rrezikshme për gratë shtatzëna, shkruan BBC.
Por, Qendrat për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC) me bazë në SHBA, thonë se ka pak gjasa që vaksinat kundër koronavirusit të kenë ndikim negativ te gratë shtatzëna.
“Përderisa studimet ende nuk janë bërë, bazuar se si funksionojnë vaksinat (me teknologjinë) mRNA, ekspertët besojnë se ka pak gjasa që ajo të ketë rrezik ndaj grave shtatzëna”, thotë CDC.
Teknologjia mRA është përdorur në prodhimin e vaksinës së Pfizer/BioNTech dhe asaj të kompanisë Moderna. Kjo teknologji përpunon kodit gjenetik të virusi.
“Vaksinat mRNA nuk përmbajnë virusin që e shkakton sëmundjen COVID-19, prandaj nga marrja e vaksinës askush nuk do të infektohet me koronavirus. Megjithatë, rreziqet potenciale ndaj grave shtatzëna dhe fetusit të tyre janë të panjohura sepse këto vaksina nuk janë studiuar në gratë shtatzëna”, thotë CDC.
CDC po ashtu thotë se nuk ka të dhëna lidhur me ndikimin që mund të kenë vaksinat ndaj COVID-19, për nënat që ushqejnë fëmijët e tyre me gji.
Efektet anësore të vaksinës
Vaksinat kundër koronavirusit, që tashmë janë aprovuar për përdorim, siç është vaksina e Pfizerit dhe kompanisë Moderna, kanë efekte anësore.
Po ashtu, në Britani dhe Indi është miratuar vaksina e krijuar nga Astrazeneca dhe Universiteti i Oxfordit.
Shembull, disa persona, në Britani dhe SHBA, kanë pasur reaksione alergjike, pasi kanë marrë dozën e parë të vaksinës së Pfizer dhe BioNTech. Përderisa, Britania ka rekomanduar që personat që kanë histori të alergjive ndaj barnave dhe ushqimeve të mos e marrin vaksinën, Administrata për Ushqim dhe Barna (FDA) në SHBA ka rekomanduar se shumica e amerikanëve që vuajnë nga alergjitë janë të sigurt që ta marrin vaksinën.
Por, FDA – që tashmë ka nisur të hetojë rastet e raportuara të alergjive – ka rekomanduar se vetëm personat që në të kaluarën kanë pasur reaksione të rënda alergjike ndaj vaksinave apo përbërësve që janë përdorur në vaksinën e Pfizerit, duhet të mos e marrin atë.
FDA ka thënë se beson që kimikati i quajtur polietilen glikon (PEG) – që është përdorur nga Pfizeri, por edhe nga kompania Moderna – mund të jetë “fajtori” për reaksionet alergjike.
Përveç reaksioneve alergjike që janë raportuar, nga vaksina e Pfizerit njerëzit kanë pasur edhe efekte të tjera anësore, të cilat zakonisht kanë zgjatur për disa ditë, të tilla si dhimbje në vendin e marrjes së vaksinës, lodhje, kokëdhimbje, dhimbje muskujsh, ethe, dhimbje të kyçeve dhe temperaturë.
Vaksina e Pfizerit administrohet përmes dy dozave, në një diferencë kohore prej 21 dhe 28 ditësh, nga doza e parë në të dytë. FDA thotë se nga studimet e kryera, njerëzit kanë më shumë të ngjarë të përjetojnë efekte anësore pas marrjes së dozës së dytë.
Pavarësisht se zbulimi i vaksinave kundër koronavirusit të ri ka rritur shpresat që mund të përshpejtojë dhënien fund të pandemisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se vetëm vaksina nuk do të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë.
"Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t'i zëvendësojë ato", ka thënë drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus më herët, duke porositur njerëzit që të vazhdojnë të mbajnë maska, të ruajnë distancën dhe higjienën personale.
Facebook Forum