Është bërë një vit që përditshmëria e Irena Steinovës është e ndarë në mes të zakonshmes dhe vigjilencës për sulme të mundshme nga raketat.
Steinova që jeton në qytetin Be’er-Sheva në jug të Izraelit kujton të jetë zgjuar nga sirenat një vit më parë, kur nisi sulmi nga Hamasi, grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Gjatë atij sulmi militantët i vranë më shumë se 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë, ndërsa si përgjigje ndaj këtij sulmi, Izraeli nisi ofensivë në Rripin e Gazës, nga e cila u vranë më shumë se 41 mijë palestinezë në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë, të drejtuar nga Hamasi. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, ende vazhdon.
“Patëm disa muaj raketa. Pastaj u pakësua numri i raketave dhe vazhduam jetën e përditshme”, thotë Steinova.
E lindur në Shqipëri, ajo ishte larguar në Izrael në vitin 1991 për shkak të tensioneve politike në vendlindje, si dhe përkatësisë hebreje të nënës së saj.
Ndonëse përditshmëria po vazhdon, ajo thotë se ndien vazhdimisht dhimbje për jetët e humbura deri më tani nga lufta, dhe ato që mund të humbin më tej.
“Dhimbja është shumë, shumë e madhe gjatë këtij viti. Disa herë kam ardhur në një moment të shkul flokët! Jeta e përditshme e jona ka qenë e shoqëruar me dhimbje, si të them. Çdo gjë që bënim, e bënim me trishtim dhe me dhimbje”, rrëfen Steinova.
Steinova, 68-vjeçare, tani ka mësuar se si të ruhet nga sulmet e mundshme ajrore, ndonëse thotë se sirenat paralajmëruese e trishtojnë.
“Dal te hyrja tek ashensori ku janë dyert e disa apartamenteve, është një hapësirë aty ku thonë se e gjitha ajo është e betonuar dhe mund të rrimë aty. Edhe... rri aty. Edhe e lus Zotin”, tregon ajo.
Më së shumti, Steinova thotë se frikësohet për sigurinë e djalit, i cili jeton po ashtu në qytetin rreth 40 kilometra nga Rripi i Gazës.
“Ekziston një ndjenjë kështu që mos po ndodh diçka, duhet të ruhemi, por unë jam e parimit që nuk jetohet me frikë, edhe kemi vazhduar jetën me një fjalë, gjithmonë duke iu lutur Zotit që mos të na ndodhë diçka”, rrëfen tutje ajo.
Për pensionisten, një ngushëllim vjen edhe nga festimi i festave fetare, takimi me miq por edhe ushtrimi i hobit të saj, shahut.
Përveç që është instruktore e shahut për fëmijë autikë, ajo shpesh merr pjesë edhe në gara shahu.
Garën e fundit ajo e mbajti së bashku me dhjetëra shahistë në një lojë simultante të organizuar në një shesh të Jerusalemit, në fund të shtatorit.
Pavarësisht frikës, ajo thotë se deri më tani nuk ka menduar ndonjëherë ta braktisë Izraelin.
“Sidomos ne, si shqiptarë, nuk e ndiejmë atë që në kohën e rrezikut të braktisim tjetrin. Duhet të rrimë këtu dhe t’i japim kurajë dhe të bëjmë diçka për popullin”, thotë ajo.
Ndërkohë, ndonëse nën frikën e raketave, për Irenën është i rëndësishëm festimi i festave fetare apo shtetërore së bashku me komunitetin që e rrethon në Izrael.
“Në fenë hebraike ka një shprehje që thotë: Është sevap i madh të jetosh në gëzim.
Edhe në qoftë se je në hidhërim, duhet të ‘jetosh me gëzim’ - e ka kuptimin që duhet të çosh jetën përpara”, thotë ajo.