Përfaqësues të Qeverisë shqiptare thanë se Raporti i sivjetmë i Progresit i Komisionit Evropian është ndër më të mirët në vitet e fundit, ndërkaq partitë opozitare thanë se dokumenti dëshmon se nuk ka pasur përmirësim krahasuar me vitin paraprak.
Raporti i Progresit i miratuar një ditë më parë iu dorëzua sot autoriteteve shqiptare. Në të u tha se Shqipëria po tregon angazhim serioz në procesin e integrimit evropian, përparimi në funksionimin e drejtësisë dhe rritja ekonomisë janë në drejtimin e duhur, ndërsa problem mbetet korrupsioni dhe klima politike e polarizuar.
Në një konferencë për media, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, tha se korrupsioni si problem kryesor është shqetësues. Por, ai vlerësoi punën që po bën Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
"Korrupsioni është një fushë që sjell shqetësime serioze. SPAK-u ka arritur hetime serioze në çështje të nivelit të lartë. Duhet ë vazhdohet me luftimin e kulturës së pandëshkueshmërisë. Autoritetet e drejtësisë do kenë Bashkimin Evropian në krah të tyre. Ndjekja e parave duhet të jetë objektivi kryesor", tha Soreca.
Sa i përket shqetësimit tjetër që lidhet me polarizimin politik, Soreca kërkoi që shumica dhe opozita të kthehen në dialog dhe duke iu referuar kaosit në Kuvendin shqiptar, bëri apel për kthim në normalitet.
Zbatimi dhe ecuria e reformave, sipas ambasadorit Soreca, janë edhe kushte për të përfituar nga fondi 6 miliardë euro që BE-ja ka parashikuar për Ballkanin Perëndimor.
“Konvergjenca ekonomike është element kryesor që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të afrohen me njëra-tjetrën. Kjo është arsyeja se pse Komisioni Evropian miratoi planin e rritjes 6 miliardë euro dje”, tha zyrtari evropian.
Ambasadori Soreca kërkoi përmirësim edhe në drejtimin e lirisë së medias. Ai ia dorëzoi Raportin e Progresit edhe presidentit shqiptar, Bajram Begaj. Kreu i shtetit shqiptar në njoftim për media theksoi se "vlerësoj përpjekjet e Komisionit Evropian për ta përshpejtuar integrimin ekonomik përmes planit të ri të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor".
Partitë politike kanë dhënë vlerësime të ndryshme lidhur me gjetjet e Raportit të Progresit sa u përket reformave që Shqipëria duhet të realizojë për rrugën drejt bllokut evropian.
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, e vlerësoi këtë raport si më të mirin ndër vite.
"Ky është Raporti i Progresit më pozitiv që është hartuar për vendin tonë dhe që përfaqëson ecurinë e reformave që kemi ndërmarrë, luftës së krimit dhe sundimit të ligjit. Ky raport është një vlerësim i drejtë dhe i pavarur i asaj që Shqipëria ka arritur nga BE-ja, që së bashkua me SHBA-në, janë partnerët tanë kryesorë strategjikë. Qeveria shqiptare ka deklaruar përmbushjen e detyrave për negociatat. Kemi hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit. Kemi rezultate të prekshme dhe sot flasim me shifra”, tha Balluku.
Për deputeten e Partisë Demokratike në opozitë, Jorida Tabaku, kryetare e Këshillit të Integrimit, raporti i KE-së tregon se nuk ka asnjë përmirësim krahasuar me atë të një viti më parë.
"Raporti jep një situatë problematike në disa fusha. Në krahasim me vitin e kaluar, nuk ka përmirësim në asnjë nga treguesit kryesorë. I vetmi përmirësim i lehtë vihet re vetëm për statistikat, ndërsa administrata publike ka një përkeqësim të situatës. Edhe pse vlerësohet reforma në drejtësi, BE-ja pret ndryshime të tjera në këtë reformë dhe puna për këtë nuk ka nisur. Raporti nënvizon edhe ato që janë vijat e kuqe për KE-në, shqetësimin për ligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe problemin e pastrimit të parave”, tha Tabaku.
Përgjegjëse për këto kritike, sipas Tabakut, janë e gjithë klasa politika, si pushteti dhe opozita. Ajo kërkoi që leximi “bardh e zi” i raporteve të progresit të marrë fund.
Eksperti i integrimit, Geron Kamberi, sheh si pozitive në këtë raport vlerësimin për reformën në drejtësi.
"Krahasuar me raportet e mëparshme, element kryesor është vlerësimin për reformën në drejtësi, pasi e ka lënë të hapur mundësinë që kjo reformën të thellohet me tej në disa fusha, kryesisht kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ai.
Sipas Kamberit, përveç luftës kundër krimit dhe korrupsionit, detyrë që i caktohen Shqipërisë përmes këtij raporti është përmirësimi i klimës politike.
Shqipëria i ka nisur negociatat për anëtarësim në korrik të vitit të kaluar, ndërsa statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE e ka marrë më 2014.